Policia e Kosovës përmes një peticioni drejtuar Kuvendit të Kosovës po kërkon përmirësimin e kushteve të punës, raporton teve1.info
Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, tha në emisionin “Ditari” në Tëvë1 se ndalimi i shtesave për rrezikshmëri e ka shtuar pakënaqësinë, derisa tha se pos dorëheqjes së 60 pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga janari i këtij viti, paralajmërimet për dorëheqje janë edhe shumë më të mëdha në rast se nuk realizohen kërkesat.
“Ndalimi i shtesave për rrezikshmëri e shtoi pakënaqësinë dhe kjo e krijoi një pakënaqësi edhe ashtu edhe pse kishim kërkesa tjera, sigurim shëndetësor, pensionim që ishin prioritare dhe tani kjo pakënaqësia e shtesës për rrezikshmëri por që kishim ankesa çdo ditë nga zyrtarët policorë, një pjesë e tyre filluan edhe të veprojnë, duke dhënë dorëheqje. 60 dorëheqje prej janarit dhe kemi paralajmërime për dorëheqje nëse këto kushte nuk realizohen. Kam informata nga njësitë speciale që kur të qetësohet situata ata pjesëtarë nuk do të rrinë me këto kushte në polici”, u shpreh Zeqiri.
Ndërsa i pyetur nëse nuk realizohen kërkesat, si do të veproj Policia, Zeqiri tha se ka shpresë se kërkesat e tyre do të realizohen.
Ai tha se peticioni është nënshkruar nga mbi 5 mijë zyrtarë policor në uniformë dhe civil, derisa shtoi se kjo nismë ka filluar në muajin maj dhe jo pas zhvillimeve të fundit në veri.
“Pas shumë kërkesave që i kemi drejtuar edhe në MBP edhe MF edhe te kryeministri, organizmi i nënshkrimit të peticionit është bërë nga Sindikata për të vërtetuar atë se sa janë të pakënaqur me kërkesat që i kemi evidentuar në peticion. Peticioni është nënshkruar nga 5 mijë e 623 pjesëtarë të PK, policë dhe pjesëtarë mbështetës të policisë, mbi 60 për qind janë policë. Pakënaqësitë apo kërkesat janë paraqitë nga të gjithë pjesëtarët por pse një pjesë e stafit nuk e ka nënshkruar është sepse nuk kanë qenë të pranishëm për ta nënshkruar peticionin për shkak të angazhimeve në punë. Kërkesat që janë në peticion janë kërkesa të të gjithë pjesëtarëve të PK-së”, tha Zeqiri.
Disa nga këto kërkesa sipas kryesindikalistit Zeqiri janë: shtesa për rrezikshmëri, shtesa për punë të veçantë, shujta mujore, shpërblimi për fundvit i një page që është i njohur edhe me UA, 3 pagat përcjellëse për të gjithë të pensionuarit, zbritja e përvojës nga 0,5 në 0,25 për 10 vitet e para etj.
“Këto kërkesa janë përfshirë në peticionin dërguar në Kuvend në javën e fundit të muajit korrik. Për shkak se deputetët shkonin në pushim, u morëm vesh edhe me kryetaren e Komisionit për Peticione, Duda Balje, që peticioni të aktualizohet pas kthimit të nga pushimet. Balje sot e ka thirr komisionin parlamentar për Peticione, javën e ardhshme pritet që të takohemi edhe ne. Kërkesat kanë qenë para 4 muajve, nuk kanë ndodh si shkak i ngjarjeve të fundit”, tha Zeqiri.