Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se nuk ka qëllim që të urdhërojë futjen e forcave ushtarake serbe brenda territorit të Kosovës.
Ai është shprehur se Serbia nuk do luftë.
“Përse do të ishte e favorshme kjo për Beogradin?Cili do të ishte qëllimi? Të shkatërrojmë pozicionin që kemi krijuar për një vit? Ta shkatërrojmë në një ditë? Serbia nuk dëshiron luftë”, ka thënë ai sot në një deklaratë për “Financial Times”.
Sipas tij, “dërgimi i trupave serbe në vijën administrative është rrenë e pastër”.
“Vitin e kaluar kemi pasur 14 mijë trupa pranë vijës administrative, sot kemi 7500 dhe do ta reduktojmë numrin në 4 mijë. Dërgimi i trupave serbe në vijën administrative është rrenë e pastër… Serbia nuk do të përfitonte nga kjo sepse do ta rrezikonte pozicionin e saj në bisedimet e sponsorizuara nga BE-ja me Prishtinën”, ka theksuar presidenti serb.