Ky është burimi i ujit për Tefik Gashin në fshatin Janjevë të Lipjanit.
Kjo është zgjidhja që i mbeti për furnizim me ujë.
Për të hapur një bunar, në këtë tokë, sipas banorëve, nevojitet gërmim i thellë.
Mungesa e ujit, sipas Gashit, i shton hallet e banorëve, të cilët dita ditës po shpërngulen për në vendet tjera.
“Unë për vete kam bërë zgjidhje kurse banorët tjerë është problem i madh se këtu për me dale uji, mu për veti m’ka shku 104 metra thellësi, kurse dikush 104 metra nuk ka mundësi me e bë dhe të gjitha këto shpërngulje të banorëve nga ky fshat po ndodhin shkaku i ujit më së shumti”, thotë Gashi.
E të njëjtin hall e ka edhe Imer Bucolli.
Ai flet për reduktimet e ujit me të cilat po ballafaqohen banorët, teksa tregon edhe mënyrën e tij të furnizimit.
“Me ujësjellësin nuk qëndrojmë kurqysh hiç. Ujësjellësi nuk po vjen te ne në Janjevë. Vjen gjysmë ore, një muaj nuk vjen, sa me u pagu kishe diçka. Ujë nuk ka në Janjevë, unë furnizohem me buna”, deklaroi Bucolli.
Edhe në rastet kur banorët arrijnë në sigurojnë ujin përmes hapjes së puseve, ai nuk është për pije, thotë përfaqësuesi i fshatit, Behxhet Kongjeli.
“Një pjesë e Janjevës në hyrje ka ujë, lart nuk ka. Banorët furnizohen me disa puse që disa kroje janë lartë që qarkullojnë, furnizohen mes vete nëpër bunare e puset që i kanë nëpër oborre dikush ka bërë një rezervarë, kur vjen uji e mbushë. Uji i pijes nuk përdoret e blejmë ujin, nuk pihet e as i ujësjellësit është i kombinum, kështu që presim zgjidhje të shpejtë”, bëri të ditur Kongjeli.
Ekipi i tëvë1 ka tentuar të marrë përgjigje nga drejtoria për infrastrukturë publike në Komunën e Lipjanit, mirëpo të njëjtit kanë refuzuar të flasin para kamerës për këtë çështje.
E për këtë tëvë1 ka kontaktuar Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit ‘’PRISHTINA’’ ku zëdhënësja Arjeta Mjeku ka thënë se mungesa e furnizimit të rregullt me ujë po ndodhë për shkak të shpenzimeve të mëdha nga keqpërdoruesit.
“Janjeva furnizohet me ujë si gjithë fshatrat e tjerë dhe ka keqpërdorime të mëdha, rrjeti sekondar është i amortizuar, diku shtatë deri në tetë litra në sekond dërgojmë ujë për Janjevë. Në pikat e larta kanë problem me furnizim të rregullt për shkak të shpenzimeve të mëdha nga keqpërdoruesit”, theksoi ajo.
Keqpërdorimi i ujit të pijes, nuk e ka lënë vetëm Janjevën në hall me mungesën e ujit, pasi që probleme të ngjashme kanë edhe shumë fshatra e vendbanime tjera.
Kronika e realizuar nga gazetarja Riga Gjata