Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të mërkurën është mbajtur seanca për caktimin e dënimit në rastin ku i akuzuari Atdhe Musliu ka pranuar fajësinë për veprën penale “Vrasje” për të cilën akuzohet se në bashkëkryerje me Labinot Bajramin e kishte privuar nga jeta tani të ndjerin A.H.
Lidhur me pranimin e fajësisë kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Ngadhnjim Arrni ka njoftuar se kjo seancë është për caktimin e dënimit, pasi që në seancën e kaluar i pandehuri Musliu ka pranuar fajësinë për veprat që i bien në barrë dhe se gjykata ka pranuar fajësinë e të njëjtit.
Fillimisht gjyqtari Arrni njoftoi palët për masën e dënimit minimal dhe maksimal për veprat penale “Vrasje” dhe “Mbajtje në pronësi kontroll ose posedim i paautorizuar të armëve” për të cilat akuzohet Musliu.
Prokurori i shtetit, Armend Hamiti deklaroi se çështjet e ngritura në këtë seancë i kishte paraqitur në formë të shkruar dhe nga një kopje ia dorëzoi secilës palë.
Kurse përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Behar Ejupi u deklarua për ndikimin e veprës ndaj palës së dëmtuar në aspektin fizik, psikologjik dhe material.
Sa i përket aspektit fizik avokati Ejupi tha se nuk ka mëdyshje që viktima ka përjetuar dhimbje shumë të mëdha nga momenti i veprimit të të akuzuarit deri në momentin kur ka ndërruar jetë, kurse e tërë kjo sipas tij, ka ndikuar në aspektin psikologjik dhe shëndetësor tek familjarët e të ndjerit.
Ndërsa sa i përket çështjes së aspektit material, nuk ka vlerë monetare e cila ua kompenson dëmit që iu është shkaktuar familjes së viktimës tha avokati Ejupi.
Më pas është deklaruar edhe avokati i të pandehurit Musliu, avokati Taulant Broçi, i cili e ka kundërshtuar shkallën e lartë të dashjes së kryerjes së veprës, me arsyetimin se i njëjti ka pranuar se e ka goditur vetëm njëherë dhe nuk ka vepruar më asgjë dhe është larguar.