Prokuroria Speciale e Kosovës e ka konfirmuar gjetjen e kufomës së personit të tretë të vrarë një ditë më parë në Banjskë të Zveçanit, raporton teve1.info
Sipas një komunikate për medie, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës konfirmon se që nga momenti kur ka ndodhur rasti i sulmit terrorist dhe deri në këto momente, prokurori i rastit, Naim Abazi, ishte i pranishëm intensivisht në vendin e ngjarjes për të siguruar provat në mënyrë sa më adekuate, të cilat do të ndriçojnë tërësisht rrjedhën fatkeqe të rastis të djeshëm terrorist.
“Faktikisht, PSRK-ja, konfirmon se, sot, në vendngjarje është gjetur një trup i pajetë, i personit të tretë të vrarë, që kishte vepruar si pjesë e grupit terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës dhe, gjithashtu, po sot, është sekuestruar edhe një sasi e konsiderueshme e armatimit që është përdorur dhe pritej të përdorej në vijimësi nga pjesëtarët e kësaj bande kriminale”, thuhet në komunikatë.
Tre terroristë serbë deri më tani janë konfirmuar të vrarë në sulmin i cili ishte përgatitur ndaj Policisë së Kosovës në këtë qytet, ku si pasojë mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.