Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jashari, e ka cilësuar si absurde deklaratën e sotme të ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci e cila tha se janë duke shqyrtuar mundësinë transferimin e mjeteve për sigurimin e teksteve shkollore në llogari të prindërve, të njëjtit t’i blejnë tekstet për fëmijët e tyre pasi nuk kanë arritur marrëveshje me shtëpitë botuese.
Sipas Jasharit, për herë të parë në Kosovë prindërit do të detyrohen të ua sigurojnë fëmijëve tekstet shkollore, e pastaj siç tha ai, do ta presin mëshirën e ministrit të Financave, Hekuran Murati dhe ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci për rimbursim.
“Deklarata e sotme është edhe më e rëndë dhe është absurde ngase ajo duke thënë se gjoja po e mbrojka buxhetin e Kosovës. Duke thënë se shtëpitë botuese paskan ngritur sipas tekave të tyre çmimet e teksteve zbuloi një gjë të re e cila është për herë të parë në Kosovë, se prindërit të gjithë edhe ata të klasës 1-5 dhe ata në klasën 6-9, duhet t’i blejnë librat me paratë e tyre e pastaj të presin mëshirën e zotit Hekuran dhe zonjës Nagavci në mos do t’ua rimbursojnë mjetet në xhirollogaritë e tyre. Punë kjo e çuditshme dhe shtrohet pyetja nëse tekstet qenkan me çmime të larta për MASHT-in, ato çmime do të jenë ndoshta edhe më të larta në libraritë e qyteteve të Kosovës dhe prindërit në hallet e tyre, me varfërinë e tyre duke u përgatitur për dimrin tani më Ministria ua vuri edhe një gurë në fyt, duke u thënë që duhet t’i blejnë tekstet”, tha Jashari në emisionin “Ditari” në Tëvë1.
Teksa sipas tij, me fillimin e vitit të ri shkollor nëpër klasa do të ketë nxënës me libra dhe nxënës pa libra, pasi sipas tij, jo të gjithë familjet do t’i kenë kushtet për sigurimin e mjeteve shkollore për fëmijët e tyre.
“Në shtator do të kemi nxënës që kanë gjendje pak më të mirë ekonomike dhe prindërit e tyre mbase do t’i blejnë tekstet dhe do të kemi fëmijë në të njëjtën klasë, prindërit e të cilëve janë në gjendje më të vështirë ekonomike dhe nuk arrijnë të ua blejnë librat fëmijëve. Dhe një nxënës do të ketë tekste e ky nxënësi tjetër që pa fajin e tij ka një familje që ka gjendjen pak më të rëndë ekonomike, do të ndihet keq pa tekste. Mësuesit dhe në përgjithësi punëtorët e arsimit do të jenë në siklet se si të zhvillojnë mësimin dhe si të orientohen me nxënësit me e me disa pa tekste shkollore”, tha ai.
Kurse për gjithë këtë situatë Jashari tha se “fajtorja kryesore pse ka ndodhë kjo është zonja Nagavci”.
Ndryshe. Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, sot ka bërë të ditur se janë duke shqyrtuar mundësinë për transferimin e mjete për sigurimin e teksteve shkollore.
Sipas obligimit ligjor që ka Ministria e Arsimit, sigurimi i teksteve shkollore për nxënësit do të bëhet në llogari të prindërve./teve1.info./