Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur në takim Senatoren e Shtetit të Nju Jorkut, Nathalia Fernandez, raporton teve1.info
Përmes një shkrimi në Facebook në faqen e Kuvendit, është bërë e ditur se Konjufca e ka falënderuar senatoren Fernandez për, siç thuhet, kontributin e pakrahasueshëm të SHBA-së dhe New Yorkut ndaj Kosovës.
“Duke i uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, kryetari Konjufca falënderoi Senatoren Fernandez për kontributin e pakrahasueshëm të Shteteve të Bashkuara dhe Shtetit të Nju Jorkut ndaj vendit tonë, si dhe për meritat e Senatit dhe Kongresit Amerikan në intensifikimin e bashkëpunimit dhe forcimin e marrëdhënieve ndërmjet shteteve tona.
Kreu i Kuvendit shprehu mirënjohje për punën e saj të jashtëzakonshme ndër vite me komunitetin e gjerë shqiptaro-amerikan në Nju Jork, komunitetin që, siç tha kryetari Konjufca, është simboli më i mirë i raporteve të ngushta historike mes popujve tanë, interesave dhe synimeve tona të përbashkëta.
Fokus i bisedës ishin marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve mike dhe aleate, si pikënisje nga ku merr kahje vazhdimësia dhe thellimi i mëtejmë i raporteve miqësore”, thuhet në njoftimin për medie.