Në Prishtinë janë rinovuar 15 shkolla gjithsej, pesë prej tyre tërësisht, ka thënë drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati.
Sipas saj, për shkak të punimeve të pa përfunduara akoma, në pesë prej shkollave që u rinovuan tërësisht, mësimi mund të shtyhet varësisht nga përfundimi i rinovimit.
“Këtë vit kemi filluar me ndërtimin e shkollave të reja siç është ndërtimi i shkollës ‘7 Shtatori’ jemi duke e bërë ndërtimin e një shkolle të re në Veternik që ka qenë një lajm i mirëpritur për një kohë të gjatë prej banorëve të Veterrikut, po ndërtojmë çerdhe të reja, kemi çerdhen ‘Xixëllonjat’ në Pejton, kemi një çerdhe të re në Dardani dhe një çerdhe në Kolovicë, si dhe po punojmë gjatë gjithë kohës që të përmirësojmë në përgjithësi infrastrukturën shkollore. Renovim të thellë i kemi 5 shkolla, kjo nënkupton që shtatori do t’i gjej me të vërtetë në një gjendje komplet tjetër, shumë më të mirë, por renovime kemi bërë diku në rreth 15 shkolla të Prishtinës gjithsej, që nënkupton ndërrim të dyerve, dritareve, sanim të dyshemeve e kështu me radhë, por rinovim të thellë jemi duke e bërë në 5 shkolla të Prishtinës, shkollat Naim Frashri, Gjergj Fishta, Metro Bjaraktari, Hoxhë Kadri Prishtina dhe Gjin Gazulli”, ka thënë Musmurati.
Musmurati ka thënë se përgatitjet e nevojshme janë bërë gjatë gjithë kohës, derisa ka shtuar se ka disa shkolla që janë duke u rinovuar plotësisht.
Musmurati shtoi se këtë vit janë fokusuar tek matematika dhe po punojnë që këtë lëndë ta bëjnë sa më atraktive për nxënësit. Ajo ka sqaruar se këtë ide fillimisht e kanë nisur me profesorin Qëndrim Gashi nga universiteti i Prishtinës, ish-ambasadori në Francë.
“Jemi fokusuar e kemi quajtur ‘vitin e matematikës’ dhe gjithë mësimdhënësit e matematikës në komunën e Prishtinës do t’i trajnojmë, që pastaj edhe mësimnxënia të bëhet duke pasur lojëra, mënyra më interesante se qysh të ia bëjmë atraktive matematikën fëmijëve, duhemi me punuar me fëmijë që me bë sa ma atraktive edhe sa ma të lehtë me i kuptuar termet të cilat janë në matematikë. E kemi filluar si ide së pari me profesorin Qëndrim Gashi nga universiteti i Prishtinës, ish-ambasadori në Francë, kështu që ka qenë një projekt interesant që e kemi filluar me pas me një garë të matematikës në Prishtinë, pastaj filluam edhe me organizatën Toka edhe Universitetin e Prishtinës që të bëjmë trajnime për gjithë mësimdhënësit e matematikës që sivjet ta kemi një lloj viti të matematikës, mandej për vitin e ardhshëm do të mendojmë se cila do të jetë lënda e radhës që do ta fuqizojmë”, është shprehur ajo.
Drejtoria e Arsimit në Prishtinë ka edhe disa plane të tjera që pritet t’i vazhdojnë nga shtatori, duke përmendur këtu punën për cilësinë në arsim.
“Kemi bërë edhe disa projekte të cilat do të vazhdojnë nga shtatori që kanë të bëjnë më rritjen e cilësisë në arsim, sepse është e vërtetë që shërbimet infrastrukturore janë shumë të nevojshme, mirëpo të njëjtën kohë duhet të punojmë si Drejtori e Arsimit që ta përmirësojmë cilësinë në arsim”./EO/








