Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka reaguar pas publikimit të sotëm të Pulsit Publik të realizuar nga UNDP ku thuhet se 76.8 % të qytetarëve nuk janë të kënaqur me drejtimin politik të Kosovës.
Krasniqi në Facebook tha se qytetarët e Kosovës nuk janë të kënaqur me drejtimin politik të vendit sepse sipas tij, kjo Qeveri, përjashtuese me aleatë ndërkombëtarë dhe koordinuese me kriminelë, nuk është duke përfaqësuar vullnetin e tyre.
Teksa tha se kjo dëshmon edhe një herë urgjencën e ndërrimit të drejtimit politik që ka marrë vendi, por, i cili siç tha ai, nuk mund të bëhet pa ndërrimin e Qeverisë.
“Rruga e rrezikshme në të cilën kjo Qeveri e ka futur vendin nuk është problemi i vetëm për qytetarët tanë: Papunësia, varfëria, inflacioni, çmimet e larta të produkteve esencial dhe shërbimet jodinjitoze shëndetësore janë renditur si pesë problemet më të mëdha sociale. 78% e qytetarëve mendojnë se punësimi në institucionet publike nuk bëhet në baza meritore.”, tha ai.
Tutje Krasniqi theksoi se kjo pakënaqësi vjen edhe pas sanksioneve nga aleatët ndërkombëtarë.
“Kjo pakënaqësi qytetare, e dëshmuar edhe në pasoja reale për shtetin tonë, përmes masave dhe sanksioneve nga aleatët tanë, duhet të adresohet urgjentisht.Kjo mund të bëhet vetëm përmes zgjedhjeve të parakohshme, të cilat do t’i sillnin vendit një Qeveri të përgjegjshme dhe kredibile, e cila, përmes veprimeve të saj, do ta rikthente Kosovën në drejtimin e duhur politik – drejt integrimit të paalternativë euro-atlantik”, tha tutje ai.
Ndryshe, Alisa Hasani nga UNDP, tha se në këtë matje kanë marrë pjesë mbi 1300 qytetarë. Ajo tha se “në krahasim me sondazhet tjera, kemi parë një dallim, varfëria dhe papunësia kanë qenë problematikat më të mëdha, inflacioni ka qenë problematika e tretë. 23.5 për qind kanë pretenduar se ende mendojnë që korrupsioni është prezent në Kosovë, 32.7 besojnë se situata në Kosovë mund të ndryshojë”./teve1.info./