Rinovim i rëndësishëm tek Arsenali. Nënkampionët e Anglisë, kanë “blindur” William Saliban, një nga lojtarët më të rëndësishëm në skuadrën e Mikel Artetës.
Qendërmbrojtësi francez, i cili debutoi me Kombëtaren gjatë vitit të kaluar, zhvilloi performanca pozitive tek Arsenali. Madje dëmtimi i tij krijoi boshllëqe në prapavijë, dhe ndikoi për negativisht në garën për titullin kampion me Manchester City.
Arsenali nisi të pësonte shumë gola. Dhe trofeu u nis sërish drejt Manchesterit. Me tifozët e Gunners që duhet të presin sërish për titullin.
Trofe që londinezëve u mungon prej vitit 2004. Falë kontratës së re, nga e cila do përfitojë rreth 10 mln euro në sezon, Saliba do të jetë pjesë e Arsenalit deri në vitin 2027.
A special day ❤️ pic.twitter.com/LUjkZDM84O
— Arsenal (@Arsenal) July 7, 2023
“E donim prej kohësh këtë rinovim. William e tregoi gjatë sezonit të fundit se çfarë futbollisti i mirë është. Dhe sa rëndësi ka për skuadrën tonë.
Është emocionuese të shohësh se çfarë aftësish ka në moshën 22-vjeçare. Ai do të përmirësohet edhe më shumë”, u shpreh trajneri Arteta.
I lumtur për kontratën e re edhe vetë Saliba, i cili karikon tifozët në lidhje me sezonin e ri: “Mendoj se mund të arrijmë gjithçka.
Trajnerin e kemi, karakterin e duhur po, futbollistë kemi. Arsenali po bëhet çdo vit e më i fortë.
Kam lindur në Parisin verior, por jam bërë burrë në veri të Londrës. Fjalët nuk mund të përshkruajnë se si ndihem këtu”.
Topçinjtë kanë rinovuar me disa nga yjet e skuadrës. Teksa kanë siguruar deri tani afrime si Kai Havertz, Declan Rice dhe Jurrien Timber. Dhe merkato në hyrje nuk ka përfunduar akoma… Pasi tek Arsenali ëndërrojnë rikthimin në majën e Anglisë pas 20 vitesh.