Ushtruesi i detyrës së kryeshefit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Ilir Berisha, thotë se regjistrimi i diasporës në procesin e regjistrimit të popullsisë i cili parashihet që të bëhet gjatë këtij viti, ka një rëndësi shumë të madhe në aspektin social e ekonomik.
Sipas tij, nga procesi i regjistrimit të popullsisë, të ekonomive familjare e të banesave përfitimet më të mëdha do të jenë për vetë popullsinë dhe më këtë rast ai bënë thirrje që qytetarët t’i përgjigjen pozitivisht regjistrimit.
U.d i kryeshefit të ASK-së, tha se duke parë rëndësinë e regjistrimit të diasporës kanë dizajnuar edhe pyetësorin për t’i mbledhur të dhënat.
“Regjistrimi i diasporës ka një rëndësi të veçante, ka një rëndësi jashtëzakonisht të madhe në aspektin socio-ekonomik për Kosovën. Andaj përkundër asaj që udhëzuesit e Kombeve të Bashkuar për regjistrimin popullsisë konsiderojnë që të mos bëhet regjistrimi i popullsisë jo rezidente, ne duke parë këtë rëndësi të jashtëzakonshme kemi dizajnuar një pyetësor të veçantë për të nxjerr indikatorët e nevojshëm, të cilët kanë një ndikim jashtëzakonisht të madh në aspektin social dhe ekonomik në Kosovë”.
Berisha tha se pjesën më të madhe të të dhënave për diasporën do ta marrin nga vetë familjarët që janë në Kosovë, por sipas tij, në bashkëpunim me Ministrin e Punëve të Jashtme mbledhjen e të dhënave do të organizojnë edhe nëpër ambasada e konsullatat.
“Është finalizuar pyetësori, ne e konsiderojmë një pjesë të madhe të të dhënave do t’i marrim nga vetë familjarët që janë në Kosovë. Mirëpo vlerësojmë që bashkëpunimi me Ministrin e Punëve të Jashtme të organizojmë edhe nëpër ambasadat tona, nëpër konsullatat tona ose në forma të tjera që ti mbledhim të gjitha informacionet për diasporën”.
Berisha tha se ndryshimet e mëdha demografike kanë ndikim të theksuar në zhvillimet e ardhshme të popullsisë dhe zhvillimet socio-ekonomike.
Sipas tij, këto ndryshime nuk përcillen plotësisht me regjistra administrativ dhe për këto statistika mund të grumbullohen vetëm përmes regjistrimit të popullsisë, të ekonomive familjare e të banesave.
“Në ndryshimet e mëdha demografike për një kohë të shkurtë si në numër dhe se këto kanë ndikim të theksuar në zhvillimet e ardhshme të popullsisë dhe në zhvillimet e tjera sociale-ekonomike. Këto ndryshime nuk përcillen plotësisht me regjistrat administrativ, andaj statistikat e detajuar për zonat të vogla dhe për grupet e vogla të popullsisë mund të prodhojmë vetëm përmes regjistrimit të popullsisë, të ekonomive familjare e të banesave”.
U.d i kryeshefit të ASK-së theksoi se të dhënat që dalin nga ky regjistrim kanë shfrytëzim të gjerë ku nga kjo përfitim do të kenë vetë popullata, e për këtë arsye sipas tij, është e rëndësishme që popullsia t’i përgjigjet regjistrimit, raporton EO.
“Të dhënat e gjeneruar nga regjistrimi kanë përdorim të gjerë dhe shfrytëzues të shumtë. Shfrytëzuesit kryesore janë politikë-bërësit, niveli qendror dhe niveli lokal për shkak se më të dhëna i orientojmë fondet për nevojat e grupeve të vogla ku jetojnë ato”.
“Përpos politikë-bërësve është më rëndësi edhe për nivelet edhe për hulumtuesit, për botën akademike, për specialist, për lëvizje të popullsisë. Gjithashtu është në interes edhe për vetë komunitet, vetë popullsinë që të jetë aktiv të përgjigjet regjistrimit të popullsisë për shkak se ata do të jenë përfituesit më të mëdhenj të këtyre fondeve”, tha ai.