Pozicionin e zgjodhën shumë strategjik.
Nga kjo pikë e fshatit Bajqinë, Podujeva duket si në pëllëmbë të dorës.
E pikërisht këtu, dy dekada më parë, u pozicionua Rafet Llapashtica me njësitin e tij, “Ulpiana 28”
Për dallim nga ushtarët e tjerë të njësitit, ky e kishte një armë më të rrallë.
Bëhet fjalë për snajperin, të cilit atëkohë si 26 vjeçar, ia kishte marrë dorën goxha mirë.
Por, si u bë Rafet Llapashtica, snajperisti i UÇK-së në Llap?
“Qysh e përzgjodha armën, nuk e përzgjodha unë, se nuk jam kanë unë ekspert i snajperit. Por gjatë periudhës sa qëndruam në Shqipëri, qëndrova me një ish-oficer të Armatës së Shqipërisë. Më pyeti çfarë arme po e dëshiron? I thashë një që na hyn në funksion. Kishte qenë një numër i armëve, ai e zgjodhi snajperin dhe me tha merre këtë”, deklaroi ai.
E gjurmët e istikameve të “Brigadës 152 – Shaban Shala” në këtë fshat të Podujevës, janë akoma.
Ani pse kanë kaluar mbi dy dekada, komandant “Qeli” nuk e ka harruar as modelin e snajperit, më të cilin i shënjestronte forcat serbe.
“Snajperi ka qenë prodhim jugosllav AK-M76, një snajper me objektiv dite, nuk ka pasur objektiv nate. 1700-800 metra e ka pasur matjen dhe efektivitetin”, shtoi ai.
E snajperi, Llapashticës i shërbeu edhe në Betejën e Kaçandollit.
Në orët e para të 27 prillit të vitit ’99, Njësiti “Ulpiana 28” panë se forcat serbe po avanconin në fshat përmes kësaj rruge.
“Këtu na ka hyrë në funksion çdo lloj pajisje që e kemi pasur. Edhe snajperi që unë e kam poseduar si armë personale, ka hyrë në funksion shumë, sepse pozicioni ynë ka qenë më i favorshëm sesa i forcave paramilitare serbe, se ne kemi qenë me lartë dhe pamjen e kemi pas të pastër”, tha Llapashtica.
Llapashtica u plagos rëndë me 29 prill, ku humbi edhe armën e tij të preferuar.
E vendin e tij si komandant në njësit e zuri Bajram Kiqmari.
Por, jo si snajperist.
“Me ka ra në dorë kur u plague Rafeti, një ditë e kam përdor, por jo më. Rafeti e ka përdor snajperin, e ka zotuar shumë mirë. Në shumë raste na i ka çelë rrugën, jemi bllokuar”, tha Kiqmari.
Ndonëse jo si snajpersit, Kiqmari e kreu mjaftë mirë detyrën si zëvendës komandant.
Ky kujton edhe momentin kur forcat serbe provokuan një betejë para syve të vëzhguesve ndërkombëtarë.
“Kanë arritur deri pika këtu. Njësiti ynë ka qenë i kompletuar, armatimi me forcat serbe ka pasur shumë dallim, na i kemi pasur një mortal, mitrolez, zolla, kallashnikova, kurse forcat serbe kanë pasur edhe tanke e autoblinda dhe në numër shumë më shumë, por nuk arritën të na mposhtin”, shtoi Kiqmari.
Në përvjetorin e 24 të Ditës së Çlirimit të Podujevës, Llapashtica e Kiqmari, nuk harrojnë t’i falënderojnë llapjanët, për ndihmën e ofruar ushtarëve gjatë luftës.
Kronika e gazetarit Fidan Zejnullahu.