Nuk e kam asnjë dilemë përkundër teorive që ngriten që e ka një afërsi me Vuçiqin që në disa raste i ka thënë vëlla, por unë nuk kam asnjë dyshim që ai është një patriot dhe një atdhetar. Kështu ka thënë deputeti i LDK-së, Anton Quni duke iu referuar kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama.
I ftuar në emsionin “Këndi i Debatit”, Quni tha se kryeministri i Shqipërisë është njëri ndër personalitetet më të besueshme dhe më autoritative në Ballkan.
“Si anëtarë i Lidhjes Demokratike të Kosovës mundemi me pas mospajtueshmëri me zotin Rama lidhje me ideologjinë, por nuk e kam asnjë dilemë përkundër teorive që ngriten që e ka një afërsi me Vuçiqin që në disa raste i ka thënë vëlla etj etj, por unë nuk kam asnjë dyshim që ai është një patriot dhe një atdhetar. Mundem me thënë që është një ndër personalitetet më të besueshme dhe më autoritative në Ballkan që mundet me i determinu proceset politike, të cilat janë në përputhje me politikat e qendrave të vendimarrjes. Dhe jam mëse i bindur që e ka mision që të mirret edhe me shkëputjen e raporteve të Serbisë me mikun e saj tradicional Rusinë. Do të thotë të jetë thjeshtë një urë lidhëse apo një urë kalimi i transformimit të Serbisë, demokratizimit të Serbisë kalimin nga një shtet totalitar edhe do të thotë këtë territor të Serbisë i cili ka mbet aleat i Rusisë e i rrethuar me shtete të NATO-s dhe ka probleme permanente dhe urrejtje patologjike ndaj shqipatrëve, e në veçanti ndaj nesh si qytetarë të Kosovës. Thjeshtë e ka për detyrë ta mbaj afër dhe të kalojë në taborin e shteteve të perendimit. Po të arrihej kjo është sukses i madh jo vetëm për Serbinë, por është sukses edhe për ne edhe për krejtë rajonin”, tha ai.
Kurse sa i përket anulimit të mbledhjes së dy qeverive, Quni tha se “çka do që ndodh mes liderëve të dy shteteve, assesi nuk duhet që kjo të reflektohet te qytetarët dhe marrëdhëniet tona”.
Ndryshe vetëm një ditë para mbledhjes së planifikuar të të dyja qeverive kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, anuloi pjesëmarrjen e kabinetit të tij. Për këtë, kryeministri Albin Kurti tha se mbledhja e qeverive nuk mund të zëvendësohet me takime të tjera./teve1.info./