Një zotim i ish-presidentit Hashim Thaçi që i ka bërë sekretarit të NATO-s, pamundëson shkuarjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës në veri të vendit.
Por shkuarja e FSK-së në këtë pjesë të vendit aktualizohet sa herë që ka tensione në veri sikur që është aktualisht, e ku në situatë të tillë edhe Serbia dërgon ushtrinë afër kufirit me Kosovën.
Edhe në situatën aktuale, deputetë të partisë në pushtet dhe eksponentë të tjerë politik kanë bërë thirrje që Forcat e Sigurisë së Kosovës t’i dërgojnë në veri dhe ta mbrojnë kufirin e Kosovës, pas tensioneve të larta prej 26 majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri kanë hyrë në ndërtesat komunale.
Sa është e gatshme FSK aktualisht të përballet me një ushtri të një vendi tjetër sqaron ish-ministri i Mbrojtjes, Anton Quni.
Quni thotë se përkundër motivimit që kanë pjesëtarët e FSK-së, përgatitjes individuale, sipas dinamikës së ngritjes së kapaciteteve, shkathtësitë që me u përballë ushtri FSK nuk do t’i arrijë deri në vitin 2028.
“Për këto struktura jokonveniconale kapacitetet për momentin i ka KFOR-i. Unë dëgjoj zëra për angazhimin e Forcave të Sigurisë të Kosovës. Përkundër motivimit që kanë pjesëtarët e FSK-së, përkundër përgatitjes individuale deri në nivelin e kompanive, por sipas dinamikës së ngritjes së kapaciteteve të FSK-së këto shkathësi që me u përballë ushtri me ushtri do t’i arrin diku në vitin 2028. Do të thotë qe ne nuk mund ta kërkojmë një përgjegjësi të tillë nga ata, dhe me kërku ndonjë mbështetje për disa operacione më të specializuara kibernetike, logjistike e tjera”, tha ai në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Quni, për Policinë e Kosovës tha se është në gjendje t’i menaxhojë situatat të cilat shkaktohen nga grupet kriminale dhe paramilitare serbe, të cilat sipas tij nuk janë të përgatitura dhe të sofistikuara.
“Policia e Kosovës është në gjendje me u përballë dhe me i menaxhuar situatat, të cilat shkaktohen nga grupet kriminale dhe paralimitare, do të thotë janë grupe që nuk janë aq shumë në përbërje, aq mirë të përgatitura, të sofistikuara, por janë të gatshme me shkaktu probleme. Pra, Policia e Kosovës ka kapacitete me u përballë me ta”, tha ai.
Sipas deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, jo vetëm për Kosovën, por për çdo shtet është problem që policia e shtetit të përballet me një formacion ushtarak që ka në posedim armatim.
“Por, thonë që nuk jemi të gatshëm dhe nuk kemi qëndrueshmëri me përballu ndonjë invazion të kufizuar në kohë, në hapësirë gjeografike e tjera të xhandarmërisë dhe të ushtrisë serbe, dhe që është shumë normale. Është shumë problem, jo vetëm për Kosovën, por për çdo shtet që policia të përballet me një formacion ushtarak që ka posedim mjete të blinduara, artileri, aviacion e tjera, është shumë normale. Nuk mundet m’i përballu strukturat jokonvencionale”, shtoi ai.
Quni, për aktorët të cilët kërkojnë që FSK të dërgohet në veri dhe ta mbrojë veriun, tha se janë injorantë dhe nuk e njohin fare fushën e sigurisë.
“Përkundër asaj që a do të lëndohet dikush, thjeshtë ata janë injorantë të kësaj fushe, fare nuk e njohin këtë fushë, fare nuk e kanë ide se çka do të thotë me lëvizë një formacion policor apo ushtarak nga pika A deri në pikën B”, tha ish-ministri i Mbrojtjes.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se është në pritje të reagimit të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, për arrestimin e tre zyrtarëve policorë të Kosovës nga autoritetet e Serbisë.
Kryeministri i vendit ka thënë se mbrojtja e vijës kufitare në pjesën veriore të Kosovës, është përgjegjësi e KFOR-it dhe Policisë së Kosovës, por “në rastet kur agresioni është i përmasave ushtarake, përgjegjësia e mbrojtjes kufitare do të duhej të ishte e KFOR-it”.
Para një dekade, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dorëzuar një zotim të njëanshëm, ku i thotë ish-sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Anders Rasmussen, se FSK nuk do të kalojë lumin Ibër.
Tensionet nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, nën asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë. Ndërkohë, tensionet u rritën më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, ku nga përleshjet janë lënduar dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it.
Ndërsa, dje, tre policë të Kosovës janë rrëmbyer nga Forcat Speciale serbe afër Leposaviqit, situatë me të cilën ka pasur shumë reagime nga autoritetet vendore dhe atyre ndërkombëtare. Kidnapimi i tre policëve shihet si hakmarrje pas arrestimit të Milun Milenkoviq-Llune, i cili dyshohet se njëjti ka qenë organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan./teve1.info/