Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, ka pritur në takim Zëvendës Sekretarin e Përgjithshëm për Paqe, Siguri dhe Mbrojtje në EEAS, Charles Fries.
Sipas një komunikate të lëshuar për medie, kanë njoftuar se gjatë takimit kanë diskutuar mbi zhvillimet e fundit në veri të vendit, derisa kanë shtuar se protesta është keqpërdorur nga bandat kriminale të dirigjuara nga Beogradi për qëllimet dhe motivet e tyre kriminale.
“Në fillim të takimit, z. Fries shprehu vlerësimin për qëndrimin e Kosovës ndaj agresionit të pajustifikuar rus në Ukrainë dhe progresin që ka njohur vendi viteve të fundit. Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se vendi ka bërë progres të konsiderueshëm, sidomos në agjendën evropiane, falë edhe ndihmës së partnerëve e aleatëve tanë. Rajoni ka nevojë për unitet në rrugën e përbashkët drejt Bashkimit Evropian. Grafitet nacionaliste dhe pro-kremlinit nga ekstremistë të maskuar e grupe kriminale, janë po ashtu tregues kryesorë të motiveve prapa veprimeve të dhunshme, të cilat duhet të dënohen ashpër nga të gjithë”, thuhet në komunikatë.
Ndërsa, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e ka njoftuar Fries për zhvillimet e fundit nga dita e djeshme dhe e sotme në veri të vendit./teve1.info/.