Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se Qeveria e Kosovës po ndjek një qasje të rrezikshme me pasoja afatgjata karshi zhvillimeve të fundit në veri.
“E panjohur, zhgënjyese dhe së këndejmi e rrezikshme e me pasoja afatgjata për vet shtetin tonë, mbetet qasja e Kryeministrit, Qeverisë së Kosovës, dhe institucioneve të tjera drejtuese në raport me aleatët historikë të Republikës së Kosovës në trajtimin e këtij provokimi në Veri. Mungesa e koordinimit të ngushtë për ndërmarrjen e hapave politik në bashkërendim me shtetet mike, në veçanti në fushën e sigurisë, e ka vënë shtetin tonë, si rrallëherë më parë, në përplasje të hapur me aleatët më të mëdhenj”, thuhet në një komunikatë të partisë.
Sipas LDK-së, Qeveria nga përplasja me grupet kriminale po përfundon në përplasje me Perëndimin, duke rënë kështu në grackën e Serbisë.
“Reagimet e shteteve mike, kundër institucioneve të Kosovës, reagimet e SHBA-së, Gjermanisë, Francës, BE-së e vet NATO-s, dëshmojnë pozicionin e rëndë diplomatik e strategjik në të cilin gjendet Kosova. Në një pozicion të tillë Kosova nuk është gjendur asnjëherë më parë”, thekson kjo parti.
LDK tutje shton se devijimi nga koordinimi me aleatët është devijim nga vet rrugëtimi euroatlantik, siç dhe është shërbim ndaj vetë kundërshtarit të shtetit tonë.
“Përjashtimi i Kosovës nga ‘Defender 2023’ është hap në këtë drejtim”, njofton komunikata.







