E ardhmja e Lionel Messit duket se do të jetë Arabia Saudite. “FootMercato” ka raportuar të martën se Messi gjatë verës pritet t’i bashkohet Al-Hilalit, pasi thuhet se parimisht ka pranuar ofertën e majme të këtij ekipi. Atij i është ofruar kontratë dyvjeçare në vlerë prej 1.2 miliardë eurosh nga ekipi saudite, i cili po bën të pamundurën që ta ketë në radhët e veta 35-vjeçarin.
Madje, thuhet se agjenti i Messit dhe njëherësh babai i tij, Jorge zyrtarisht ka arritur marrëveshje me Al-Hilalin, e cila do të konfirmohet përgjatë muajit të ardhshëm. Messi tek Al-Hilali do të transferohet si lojtar i lirë, pasi në fund të muajit qershor i skadon kontrata me Paris Saint-Germainin.
Ai prej vitit 2021 është pjesë e ekipit francez, ndërsa ka refuzuar vazhdimin e bashkëpunimit përtej këtij edicioni.
Messi në edicionin e tij të fundit me fanellën e Parisit ka shënuar 21 gola dhe ka bërë 20 asistime në 41 paraqitje.










