Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot fillon vizitën zyrtare në Maqedoninë e Veriut.
Sipas njoftimit të Presidencës, në kuadër të kësaj vizite, Osmani së bashku me homologun, Stevo Pendarovski, do të mbajnë konferencë të përbashkët për medie.
Po ashtu, do të takohet me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferin, e pastaj pritet t’i drejtohet me një fjalim deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.
Osmani do të marrë pjesë edhe në përurimin e një rruge me emrin e Presidentit, Ibrahim Rugova në komunën e Çairit, përcjell teve1.info.
“Ndërkaq në selinë e Ambasadës së Kosovës, Presidentja Osmani do ta dekorojë post-mortem me Urdhrin “Hasan Prishtina”, liderin ikonik të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, Arbën Xhaferi, i cili shquhet edhe për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të shqiptarëve kudo. Presidentja Osmani do ta dhurojë po ashtu një kontingjent librash për bibliotekën në gjuhën shqipe në Manastir. Gjatë qëndrimit në Maqedoni të Veriut, Presidentja Osmani do të vendosë lule te shtatorja e heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, te busti i Hasan Prishtinës dhe pllakës së Nënë Terezës, si dhe do ta vizitojë Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSHM)”, thuhet tutje në njoftim.
Presidentja Osmani gjatë vizitës në Maqedoninë e Veriut do ta vizitojë edhe Tetovën ku do ta takojë kryetarin e komunës, Bilall Kasamin, disa kryetarë komunash të drejtuara nga shqiptarët dhe intelektualë të kësaj komune.
“Vizitën në këtë komunë, Presidentja Osmani do ta përmbyllë në Universitetin Shtetëror të Tetovës, ku para studentëve dhe stafit akademik do të flasë për sfidat rajonale politike dhe ato të sigurisë”, përmbyllet njoftimi./teve1.info/.