I ftuar në emisionin Info Nata në Tëvë 1, Gjini ka thënë se po të ishin vetëm Kosova dhe Serbia në tavolinën e negociatave pa ndërmjetësues, nuk beson që do të arrihej ndonjë marrëveshje.
“Sikur të ishim ulë në tavolinë vetëm Kosova dhe Serbia, unë fillimisht besoj që nuk do të kishim arritë kurrfarë marrëveshje kurrë. Mos harroni që në këto rrethana pjesa e marrëveshjeve është jashtëzakonisht e rëndësishme edhe merren parasysh shumë rrethana, shumë elemente. Po besoj që të gjithë në Kosovë e kuptojnë këtë pjesë, duhet me kuptu edhe pjesën tjetër që ndërmjetësit, jo vetëm që nuk janë kundër Kosovës ose që mendojnë se Kosova ka vlerë më të vogël”, ka thënë Gjini.
“Ata që provojnë me e ndjek të gjithë rrjedhën, ndoshta të një çerek shekulli të fundit, e kuptojnë se janë disa momente në të cilat duhet me u marrë vendime. Të zorshme a të lehta, vjen koha që duhesh me marrë vendime. Por më së shumti që duhet me kuptu Kosova, po besoj qeveria e Kosovës që në fund ka mbërri me kuptu sepse kemi pasë problem në të kaluarën, është që këto negociata nuk bëhen për Serbinë. Për shkak që po të ishte në pyetje Serbia, nuk do të kishim pasë fare negociata sepse Serbia është pjesë e Kombeve të Bashkuara, është vend anëtar i njohur prej të gjithave, ekziston si pjesë e të gjitha mekanizmave ndërkombëtarë, dmth për Serbinë nuk kishte me pasë nevojë fare me diskutu”, ka shtuar tutje ai.
Kryetari i komunës së Gjakovës tutje thekson se është gabim të mendohet që Kosova po futet në dialog për hir të Serbisë.
“Të gjithë ata që mendojnë që bashkësia ndërkombëtare, fillimisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mirëpo pastaj edhe Unioni Evropian po e detyrojnë Kosovën që të futet në negociata për hir të Serbisë, janë të gjithë gabim. Rrethanat, mundësitë, rrugët për me mbërri deri te një njohje e ndërsjellë me Serbinë munden me qenë herë më të zorshme e herë më të lehta po Serbia s’ka pasë nevojë me hy në negociata me ne. Serbia si shtet nuk ka fare nevojë. Kjo rrugë po provohet të ndiqet për me e nxjerrë Kosovën nga një situatë në të cilën është. Serbia sa herë që mundet, mundet me shkaktu nga një ngatërresë për Kosovën. Edhe po besoj që nuk ka nevojë as me e komentu këtë pjesë. Nuk jemi t’u i besu çka po don Serbia, por ShBA-së dhe BE-së që ky proces ndodh për shkak të Kosovës”.
Gjini vlerëson në fund se njohja nga Serbia nuk është më e rëndësishme në raport me njohjen nga pesëshja mosnjohëse e BE-së.
“Pse me Serbinë për shkak të Kosovës? Jo për hir të njohjes së Serbisë të drejtën me iu thënë, për shkak se njohja prej Serbisë, ne mundemi me jetu pa atë njohje. Mirëpo jeta jonë është shumë më e komplikume nëse nuk e kemi njohjen e vendeve të tjera anëtare të Unionit Evropian”, ka thënë ai.