Këta pacientë, përveç këtij procesi të dializës, duhet të marrin edhe terapi me ilaçe si dhe duhet të kenë kujdes me dietën e tyre, duke ua bërë atyre rutinën ditore shumë të vështirë.
Shpresat për një shëndet më të mirë, këtyre pacientëve po ua shuan edhe shteti, i cili po dështon t’iu ofrojë mundësinë, për të kryer transplantimin e veshkave në shtetin e tyre.
Kjo për shkak se dy dekada pas luftës, Kosova vazhdon të mos ketë ligj që lejon transplantimin e organeve trupore tek njeriu. Mungesa e këtij ligji, këta pacientë vazhdon t’i mbajë të lidhur për këto aparatura, ose detyrohen të kërkojnë shërbime për transplantim në shtetet e tjera, por që kosto e lartë financiare në të shumtën e rasteve është e papërballueshme për familjet e tyre.
Një transplant i tillë, fillon nga 25 mijë euro e tutje, në varësi të Qendrës Spitalore, ku ofrohet ky shërbim.
Pacientët që për një dekadë janë në dializë, rrëfejnë për emisionin “De Jure” vështirësitë me të cilat përballen.
Hamit Hoti është 58 vjeçar dhe ka 10 vite që është në dializë. Si për ironi të fatit, kur ai i është nënshtruar dializës, në të njëjtën kohë, është konstatuar nevoja për t’iu nënshtruar dializës edhe vëllai i tij, që është më i ri në moshë.
Në mungesë të mjeteve financiare për të bërë transplantin që të dy, ai ka zgjedhur vëllain para vetes dhe kështu kishin vendosur që familja të paguante transplatin për të vëllain, ndërsa Hamiti të vazhdojë më dializën.
“Problemi ka qenë që unë pasi kam hy në dializë vitin e parë ka ra në dializë edhe vëllai im pas një viti, ai ka qenë më i ri se unë, kështu që ai ka bë transplantim, shoqja e tij ia ka dhënë veshkën, mirëpo kemi pasur problem shumë se nuk kemi mundur me bë këtu transplantimin se nuk ka pasur ligj për të kryer transplantimin këtu. Jemi interesuar për ta bërë jashtë diku, kemi shikuar në Turqi, u bë shumë shtrenjtë e kemi bë pastaj në Tiranë, në spitalin Amerikan. Mirëpo, këto shpenzime është dashur me i bë vet të gjitha. Kemi bërë kërkesë në Ministri të Shëndetësisë ata na e kanë bë një pagesë të operacionit 70 për qind, a të tjerat para analiza e këto të tjerat i kemi bërë në vet privatisht…Ne kemi shkuar në atë shifrën më të lirën, diku nëse nuk gaboj 25 mijë euro që e kemi bërë”, tha ai në emisionin “De Jure” në Tëvë1.
Bashkëshortja e Hotit, kishte shprehur gatishmërinë që t’ia dhurojë veshkën, por që për shkak të kostos së lartë, ai thotë se ka hequr dorë nga një gjë e tillë. Mirëpo, nëse operacioni i transplantimit të veshkave do të mund të realizohej në Kosovë, Hoti thotë se do ta bënte pa u munduar dy herë.
“Kam tentuar edhe unë me e bë, mirëpo për shkak të shpenzimeve të mëdha që është dashur për vëllain me i ble terapinë dhe me i bë analizat, është dashtë me shku në Tiranë me i bë analizat, është dashtë me ble terapinë. Deri para një viti e kemi ble terapinë, ka kushtuar 400 euro në muaj dhe për atë nuk kemi hyrë dytë, nuk kemi pas mundësi dhe unë e kam lënë anash. Me m’u ofru mundësia këtu tek ne me bë operacionin po e kisha bë menjëherë”, shtoi Hoti.
Sikurse Hoti edhe Naim Racaj, ka 10 vite që është në dializë. Për të njëjtën arsye, të kostos së lartë financiare, Racaj thotë që nuk shpreson se mund ta kryejë transplantin e veshkës.
“Sa i përket dializës, personelit mjekësor këtu edhe teknikëve këtu është në nivel të duhur, mirëpo te transplantimi jemi në mungesë shumë të madhe prej shtetit të Kosovës. Për mendim tim është dashur me fillu transplantimi më herët se ka mundësi me personel mjekësor QKUK-së dhe hemodializa me e bë transplantimin, mirëpo ligji në mungesë i Ministrisë së Shëndetësisë nuk po shkon në Kuvend, kjo është edhe në dëm të shtetit se një pacient i dializës kushton diku 20 mijë euro në vit. Sikur me e përgatitë ligjin me fillu transplantimi, edhe shteti fiton edhe pacientët ndjehen shumë mirë. Kështu që, tash ku është pengesa nuk e di, mirëpo besoj që për të gjithë këta pacientë munden me dalë prej hemodializës shumë shpejtë sikur me punu Ministria e Shëndetësisë edhe QKUK-ja mirë. Nëpër shtete të tjera, shumica dalin prej hemodializës brenda një kohe të shkurtër, nëse bëhet ligji për dhurimin e organeve ndodhin aksidentet, ndodhin gjëra të tjera që ka mundësi shumë shpejtë me dalë prej dializës shumë pacientë, mirëpo në mungesë të ligjit jemi ku jemi”, tha Racaj në emisionin “De Jure” në Tëvë1.
Pacientët që janë në dializë duhet të përdorin terapi të vazhdueshme. Deri para një viti të gjitha terapitë janë detyruar t’i blejnë vet, duke rënduar buxhetin e familjes, pasi kosto financiare e kësaj terapie brenda muajit arrin deri në 250 euro. Racaj thotë se kjo situatë do të shmangej nëse do të kryenin transplantimin e veshkës në Kosovë.
Shkurta Hajdaraj është 34 vjeçare dhe qe një dekadë është në dializë. Ajo vuan edhe nga diabeti.
Edhe bashkëshorti i saj, tash e 20 vite vuan nga sëmundja kronike e veshkave dhe është në dializë. Ajo thotë se për shkak të mungesës së mjeteve financiare, pasi që jetojnë vetëm me ndihmë sociale, nuk e kanë shqyrtuar mundësinë për të bërë transplantimin e veshkave, ani pse familjarët kanë shprehur gatishmëri për t’iu dalë në ndihmë.
“Kisha dashtë shumë se unë jam edhe vet e dyta në dializë, se edhe bashkëshortin e kam në dializë, se nëse nuk kisha mundur unë me e bë transplantimin të paktën ai kish pas mundësi. Ai është që 20 vite në dializë edhe jemi në një gjendje pak më të vështirë se jemi të dytë në dializë”, tha ajo në emisionin “De Jure” në Tëvë1.
Për më shumë, ndiqeni hulumtimin e emisionit “De Jure” me titull “Jeta në dializë”, i cili transmetohet në “Tëvë1” dhe “Betimi për Drejtësi./Tëvë1/