Mervete Qarri nga Komuna e Shtimes ka strehuar dhe është përkujdesur për 42 fëmijë të braktisur.
Rrugëtimin e nisur në vitin 2004 me bashkëshortin e saj tashmë të ndjerë, ajo po e vazhdon si e vetme.
E ndjesinë që ia japin këta fëmijë e ka të vështirë ta përshkruajë me fjalë.
“Jena shku në qendër me bashkëshorti o kon gjallë, me bashkëshortin kena fillu prej 2004-tës, kemi shku kemi fol me drejtorin në QPS, na kanë njoftu çka është puna e këtyre fëmijëve që janë fëmijë të braktisur edhe kam pas qejf edhe unë edhe burri edhe e kena marrë.
Deri më tani, Mervete Qarri ka strehuar mbi 40 fëmijë. E mosha e tyre ka filluar nga zero e deri në 18 vjeç.
“N’fillim me një kam fillu edhe unë kam mendu që me qata derisa të rritet ai fëmijë edhe e marrin edhe s’kam mendu për masanej me marrë, po kur e kanë marrë atë fëmijë kam pasë dhimbje të madhe shumë, edhe më lajmëruan QPS që mundesh apet me marrë fëmijë të tjerë, tani meniherë e kena marrë tjetrin, tani ma prej atij fëmijë gjithë dy-tre-shtatë i kam pas përniherë, kah pesë, kah katër, e qeshtu, deri tash 42 fëmijë i kam pas n’familje tem”, ka thënë ajo.
E në ndihmë të saj për secilin problem që mund ta kenë fëmijët dalin Qendra për Punë Sociale, Shoqata Ofab dhe Komuna e Shtimes.
Mirëpo pas vdekjes së bashkëshortit- vitin e kaluar, Mervete Qarri kishte pasur dilema nëse do të mund të vazhdonte atë që e kishin nisur bashkë.
“S’ma ka marrë mendja që muj me marrë fëmijë ma po…S’kam mujtë me lanë se edhe po m’shkon koha, po m’heket mërzia me ta”, thotë Qarri.
Qarri thotë se nuk arrin t’i ndajë këta fëmijë nga nipat e vet.
Strehimin e fëmijëve të braktisur, 57 vjeçarja mendon ta vazhdojë për një kohë të gjatë.
“S’pritoj bre as natën as ditën as hiç kurrë s’pritoj për kta fëmijë me u çu me ua ba hyzmetin. As s’muj me i dallu as prej fëmijëve të djalit as prej fëmijëve të mi, kurrë s’muj me i largu, taman sikur fëmijët e djalit edhe këta qashtu pasha Zotin i du. Me m’pasë thanë mu, 42 që i kam majt deri tash, asnjë se kisha çu te shpia, krejt i kisha majtë n’familje tem. Niher sa ta kam shëndetin s’besoj që e ndërprej se s’muj me nejt pa ta”
Vetëm në vitin 2022 janë braktisur 12 fëmijë. Ndërkaq që nga paslufta deri në vitin 2022 janë braktisur 1127 fëmijë.
Kronika e realizuar nga gazetarja Albiona Hajdari