Shala në mbledhjen ku po raporton ministri Murati ka thënë atij se është e vërtetë që këtë Ligj e kanë gjetur nga Qeveritë e kaluara por sipas tij, në kohën kur është miratuar ky Ligj nuk ka pasur probleme me krizë energjetike e inflacion.
“Është shqetësim kur mundohesh ta hedhësh fajin dikund tjetër, por po ta rikujtoj që po të mos ishte vendimi i departamentit të Ministrisë që ju e udhëheqni nga tetori asnjë vendim tjetër i pushteteve lokale nuk do të guxonte juridikisht të lëvizte në asnjë lloj të ndryshimit të faturave dhe pronës . Ju po thoni e kemi gjetur ligjin, ju e keni gjetë ligjin, por në kohën kur është hartuar ligji në vitin 2018 nuk ka pasë krizë energjetike, nuk ka pasë kizë globale nuk ka pasë inflacion 13 për qind “, tha ai.
Teksa ka kritikuar ministrin Mustafa për mos ndryshim të këtij neni, bazuar në situatën ekonomike të vendit pasi sipas Shalës, të paktën ministri Murati ka mundur ta shtyejë zbatimin e këtij ligji deri në vlerësim procedural vitin e ardhshëm.
“Pra e ke gjetë ligjin, por ne kemi praktika të iniciuara nga ju që brenda ditës kemi bërë amendamente dhe kemi ndryshu ligjin në dy lexime, në lexim të parë dhe të dytë brenda ditës. Si ka mundësi që nuk e keni parë gjatë dy viteve kalendari që ka nevojë situata e veçantë ekonomike e vendit me e ndryshu nenin 9, dhe ke pasë mundësi me amandamentu atë ligj. Me zgjat afatin e këtij ligji mos me bë vlerësimin këtë vit, por me lan një vlerësim procedural vitin e ardhshëm si ti shohim trendet ekonomike”, shtoi ai.
Ndryshe ministri Murati në një konferencë për media tha se ligji me të cilin sivjet u kanë shkuar qytetarëve faturat e tatimit në pronë është miratuar në vitin 2017, i cili ka paraparë që 5 vite pas hyrjes në fuqi t’i tatimon tokat me 100 për qind.