Ani pse punimet ishin ndalur, sipas Prokurorisë shtatë zyrtarë komunalë kishin bërë pranimin teknik nën pretekstin se punimet janë kryer sipas kontratës së fituar.
Këta persona janë arrestuar të hënën nën dyshimin për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës” dhe “Mashtrim”.
Por Komuna e Lipjanit ka mohuar se mund të ketë pasur ndikim politik dhe se nuk mund të ndërhyjnë në punën e organeve.
“Ne, kuptojmë dhe inkurajojmë punën e organeve të drejtësisë që të jetë e pavarur dhe korrekte, por assesi deklarimet paushalle e të paverifikuara. Duhet të vlejë prezumimi i pafajësisë deri në vërtetimin e fajësisë e jo me komente me erë tërësisht politike pa asnjë lloj verifikimi të së vërtetës”, thuhet në reagimin e Komunës.
Megjithatë opozitarë në Lipjan fajin po e adresojnë te kryetari i Komunës, teksa kërkojnë hetim më të zgjeruar nga organet e drejtësisë.
Madje kjo parti kërkon dorëheqjen e të parit të Komunës.
Edhe subjekti tjetër opozitar, Partia Demokratike e Kosovës po kërkon hetim të plotë në tenderët që nënshkruhen nga Komuna.
“Prej kohësh, ne në vazhdimësi kemi bërë thirrje që hetuesit e Krimeve Ekonomike të zbarkojnë në Komunën e Lipjanit, duke nisur nga fakti se gjetjet e Auditorit të Përgjithshëm alarmonin për shumë pa rregullsi në këtë komunë, si: pagesa nga kategoria ekonomike joadekuate, zhvillim të procedurave të prokurimit jashtë planifikimit, dobësi gjatë zhvillimit të procedurave të prokurimit, mungesë dëshmisë për arsyetimin e shpenzimeve nga përfituesit e subvencioneve, mungesë të planit për subvencione, sigurim jo valid i ekzekutimit, vonesa në realizimin e punimeve, shpenzim i ulët i buxhetit të kapitaleve”.
E një ish-mbikëqyrës i këtij projekti, thotë se i njëjti është anuluar sepse kishte mangësi në këto punime.
Ndërkaq, Prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarit.
Kronika e gazetarit Lindrit Zejnullahu.