Është ky Tzur Shezaf nga Izraeli.
Vetëm disa orë pasi ushtria serbe masakroi barbarisht 45 civilë shqiptarë, ai shkoi në vendin e ngjarjes ku ndodhi kjo mizori.
Ai mbeti i tronditur nga ato çfarë kishte parë në fshatin Reçak.
Për përjetimet nga ajo ditë tmerri, ai vendosi të rrëfejë ekskluzivisht për tëvë1.
“Unë doja të shkoja në Kosovë në fillim të vitit 1999. Kolegët e mi mbeten të befasuar nga kjo ide dhe me thoshin se atje nuk ka diçka të veçantë për të raportuar, megjithatë unë veçse e kisha ndarë mendjen. Unë madje nuk i dëgjova as redaktorët e mi. Kur mbërrita në Prishtinë u vendosa ne Grand Hotel ku kishte edhe shumë gazetarë të tjerë. Nga aty mora një informatë se diçka po ndodhte në fshatin Reçak. Unë u takova me gazetarin Naser Miftari dhe i thash se dua të shkoj në Reçak. Ai u habit dhe më tha pse dëshiron të shkosh atje për shkak se nuk ka ndonjë lajm të ri. Nuk e di, diçka më thoshte nga brenda se duhet të shkoj atje- e kisha një intuitë”, tha ai.
Shezaf, tregon se çfarë i mbeti më së shumti në mendje nga Reçaku.
Ai thotë se nuk u tregua egoist që ta publikoj lajmin i pari për shkak se e pa më të arsyeshme që t’i informonte ekipet vëzhguese për atë se çfarë kishte ndodhur sipër malit.
“Kur mbërritëm në fshatin Reçak pamë shtëpi të djegura, njerëz duke pritur në radhë dhe disa pjesëtarë të UÇK-së. Kur u ngjitëm sipër malit më thanë të mos incizoja por unë natyrisht që e nxora kamerën dhe fillova të incizoj. Duke ecur, në tokë pashë njerëz të masakruar, përfshirë fëmijë dhe gra- ishte shumë e trishtueshme. Çfarë më ka mbetur më së shumti në mendje janë prerjet në fytyrë që ua kishin bërë viktimave, çka e bënte të vështirë identifikimin e tyre. Unë nuk u tregova egoist e ndava menjëherë lajmin me misionet e huaja vëzhguese dhe i thash të shkonin atje, pavarësisht se po ta publikoja storien do të isha në ballinat kryesore te mediave”, deklaroi gazetari izraelit.
Tutje, ai tregon se mbeti i befasuar nga një përgjigje që i dha një gjeneral serb kur e pyeti për krimet që ishin kryer në Reçak.
“Unë intervistova një gjeneral të një njësiti serb dhe e pyeta se a është i vetëdijshëm se çfarë krime ishin bërë në Reçak. Ai ma ktheu duke thënë se e din shumë mirë se çfarë ka ndodhur. Më tha se do ta bënin përsëri nëse është e nevojshme për shkak se ky është vendi i tyre. Pra në fund mund të them pa asnjë dyshim se masakra e Reçakut ishte motivi kryesor i NATO-s që të ndërhyjë në Kosovë dhe t’i largoj forcat serbe”, shtoi ai.
Tzur Shezaf, 64 vjeç, ka një karrierë të bujshme si gazetar, ku ka raportuar nga shumë vende të Evropës, Azisë, Afrikës dhe Lindjes së Mesme.
Kronika e gazetarit Shpat Blakçori.