Taravari ka falënderuar presidenten Osmani për siç tha ai qasjen e hapur dhe miqësore, teksa i ka siguruar asaj se do të punoj në thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit.
I pari i Gostivarit tha se me Osmanin kanë diskutuar edhe mbi situatën në veri të Kosovës për të cilën ai tha se, e kanë ndjekur me shqetësim.
“Diskutuam edhe për situatën në veriun e Kosovës të cilën ne e kemi ndjekur me shqetësim dhe u zotova se do të vazhdojmë të flasim zëshëm për të dënuar veprimet luftënxitëse dhe anti evropiane të Beogradit.Urova Presidenten për dorëzimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe shpreha besimin se BE do të jetë në nivel të sfidës së jashtëzakonshme që i kanoset paqes, sigurisë dhe vlerave tona të përbashkëta, duke u përkushtuar për bashkimin përfundimtar të kontinentit tonë.Përgëzova Presidenten Osmani për drejtimin e përgjithshëm të Kosovës dhe fokusin e institucioneve në luftimin e krimit dhe korrupsionit. Duke qenë se korrupsioni ngelet problemi më i madh i vendit tonë, theksova nevojën për bashkëpunim më të madh me institucionet e Kosovës për të mësuar nga përvoja e deritanishme në hartimin e kornizës ligjore për reforma në drejtësi”, ka shkruar ai.
Kurse gjatë vizitës së tij në Kosovë, Taravari u prit edhe nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku,me të cilin sipas tij, diskutuan mbi zhvillimet në veriun e Kosovës dhe bashkërendimin e faktorit politik shqiptar në dënimin e veprimeve luftënxitëse nga ana e Beogradit.
“Në këtë takim, ku isha i shoqëruar edhe nga deputetët Elmi Aziri dhe Artina Qazimi, diskutuam zhvillimet në veriun e Republikës së Kosovës dhe bashkërendimin e faktorit politik shqiptar në dënimin e veprimeve luftënxitëse nga ana e Beogradit. Kryetarit Abdixhiku i shpreha zhgënjimin e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut me vonesat shumëvjeçare në rritjen e konektivitetit midis dy vendeve tona, dhe u pajtuam për urgjencën e përfundimit të autostradës Arbën Xhaferi nga ana e Maqedonisë së Verius dhe të lidhjes midis Tetovës dhe Prizrenit”, shkroi tutje ai./teve1.info./









