Megjithatë, jo shumë viktima kanë guximin për të ngritur zërin në rastet e ngacmimeve seksuale në vendin e punës.
Përmes një përgjigje elektronike, Policia e Kosovës bën të ditur për televizionin se gjatë periudhës janar- nëntor të këtij viti janë 87 raste të ngacmimeve seksuale në përgjithësi, pa specifikuar nëse janë të gjitha në vendin e tyre të punës.
“Policia e Kosovës i evidenton rastet bazuar në Kodin Penal, ne po ua përcjellim të dhënat për rastet nga neni 183 Ngacmim seksual, për periudhën janar-nëntor 2022 janë evidentuar 87 raste në përgjithësi”, thuhet në përgjigjen e Policisë.
Adelinë Tërshani nga Rrjeti i Grave të Kosovës, thotë se ky fenomen është dëshmi e diskriminimit në baza gjinore.
Megjithatë problem kryesor sipas saj mbetet mosraportimi i rasteve, gjë që pamundëson verifikimin e saktë të këtyre rasteve.
“Hulumtimet e RRGK-së tregojnë se ngacmimet seksuale në vendin e punës dalin si njërat nga diskriminimet më të shpeshta në baza gjinore që e përjetojnë gratë në vend pune, po çka qalon në këtë pikë është raportimi i këtyre rasteve. Fatkeqisht kemi pa se gjendja që është në terren tregon se ka shumë e shumë raste që ndodhin se sa që raportohen”, tha ajo.
Raste të tilla ka edhe në sektorin privat. Këtë e konfirmon kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi.
Derisa edhe ky thekson thekson se ka hezitim nga ana e punëtorëve për raportime të ngacmimeve seksuale.
“Gojarisht raportohen ngacmimet seksuale në vendin e punës edhe tek ne në sindikatë, jo një numër shumë i madh, por megjithatë në momentin që ne kërkojmë që ata ose ato të na konfirmojnë me një deklaratë ata hezitojnë me bo këtë dhe mbesim pa argumente, jemi të vetëdijshëm që kjo po ndodh”, deklaroi Azemi.
E nga Rrjeti i Grave të Kosovës tregojnë edhe faktorë që ndikojnë deri tek mosraportimi i këtyre rasteve.
“Shumë herë gratë dhe vajzat kanë frikë për humbjen e vendit të punës kanë frikë se mos nuk u ruhet anonimiteti prej institucioneve tek të cilat shkojnë me raportu, ne kemi pa në vende të vogla që u cenohet e drejta për me qenë anonime ne raste të tyre, ato i ndalon fakti që kanë me u paragjyku…”, tha Tërshani.
E për të sensibilizuar rreth kësaj dukurie, Rrjeti i Grave të Kosovës në bashkëpunim me Avokatin e Popullit, gjatë vitit lansoi një fushatë kundër ngacmimeve seksuale në vendin e punës dhe zyrën për barazi gjinore .
Kronika e gazetares Lendrina Kodrolli.







