Së fundi Ministria e Arsimit e ka bërë përkthimin e teksteve shkollore për nxënësit e këtij komuniteti dhe ato janë përshtatur me kurrikulën e sistemit arsimor të Kosovë, por përfaqësues të shkollës “Motrat Qiriazi” thonë se ende ato nuk u janë shpërndarë për gjitha gjeneratat. Ata po shprehin pakënaqësitë e tyre edhe në përkthimin e disa teksteve, për çka Ministria e Arsimit deklaron se është në fazën e pritjes së komenteve për t’i evituar gabimet.
Mësuesja e klasës së katërt në shkollën fillore “Motrat Qiriazi” në Prizren, Leyla Celina tregon për KosovaPress se kanë problem me librat, meqë ende nuk kanë marrë librat me kurrikulën e re.
“Kemi probleme në lidhje me librat. Jemi duke punuar me sistemin e ri, por ende nuk i kemi marrë librat e përpiluara me kurrikulën e re. Po shpresojmë që do pajisemi me to sa më parë. Librat e klasëve të para dhe të dyta të përshtatura me kurrikulën e re tashmë kanë ardhur, por librat na erdhën vetëm në gjysmëvjetorin e dytë. Shpresojmë që në vitin e ardhshëm do vazhdojmë të punojmë me librat e ri qysh prej shtatorit. Po mundohemi që në kuadër të mundësive të pajisemi me materiale shtesë përmes internetit në mënyrë që t’u ofrojmë nxënësve tonë mësim më cilësor”, tregon ajo.
Telashet më të mëdha i kanë me materialet e lëndës së matematikës, kjo po paraqet vështirësi edhe për fëmijët që vijojnë mësimin në gjuhën turke.
Celina: Më së shumti kemi telashe me materialet e matematikës
“Më së shumti kemi telashe me materialet e matematikës. Në librat që na i kanë dhënë përkthimet nuk janë bërë mirë si duhet. Fëmijët po kanë vështirësi në kuptimin e këtyre problemeve. Si dhe, meqë fëmijët e gjeneratave të reja po janë më të mençur, po janë më të koncentruar drejt kuptimit të problemeve dhe kuptimit të gjithçkaje tjetër dhe për t’u përshtatur me ta duhet të kemi më shumë libra ushtrimesh”, shprehet Celina.
Një gjë të tillë e pohon edhe zëvendësdrejtori i kësaj shkolle, Eroll Kala. Përfaqësuesi i komunitetit turk në “Motrat Qiriazi” thotë se janë mbi 380 fëmijë që vijojnë mësimin në gjuhën e tyre amtare. Por, siç tregon ai, shumica e paraleleve po vazhdojnë të mësojnë me planin e vjetër.
Kala: Nuk janë të gjitha librat komplet
“Që katër-pesë vjet libra nuk ka pasur në gjuhën turke me kurrikulën e re. Pasi kaluam në kurrikulën e re kemi pasur libra me kurrikulë të re për shkak se nuk ka pasur përkthime. Këtë vit, pak me vonesë, në fakt para një muaji filluan përkthimet e librave. Jo të gjithë, por disa prej librave janë përkthyer dhe u janë dhënë fëmijëve. Por ende kemi problem me libra sepse nuk janë komplet. Përveç se nuk janë komplet, por edhe gabime në përkthim. Aq sa kemi vërejtur, përkthimet po bëhen me google translate. Kemi përkthime të cilat bukfalisht nuk po përputhen. Posaçërisht në Matematikë dhe në fushat si matematikë ku pyetjet nuk i kupton fëmija dhe as përgjigjen nuk mund ta jap”, deklaron ai.
Për gabimet në përkthime në gjuhën turke, Ministria e Arsimit është në fazën e pritjes së komenteve, meqë librat janë shpërndarë së fundmi. Udhëheqësja e Divizionit për Arsimin e Komuniteteve, Nazan Safqi thotë se ende nuk kanë pranuar ankesa të tilla.
Safqi: Deri më tani nuk kemi ndonjë përgjigje
“Vetëm sa kanë kaluar tekstet në duart e mësimdhënësve dhe nxënësve dhe jemi në pritje të komenteve nga shkollat në lidhje me tekstet e reja apo vërejtjet eventuale që mund t’i kenë rreth teksteve të reja, përkthimit apo lëshimi tjetër që ka mundur të ndodhë. Deri më tani nuk kemi konkretisht ndonjë përgjigje nga ta, apo kërkesë dhe ankesë rreth teksteve, zyrtarisht me shkrim. Ne jemi në pritje, kemi njoftuar shkollat. Ju kemi thënë që ata të evidentojnë të gjitha lëshimet që janë në tekstet e reja shkollore dhe t’i dërgojnë në MAShTI që ne bashkërisht me shtëpitë botuese të bëjmë korrigjimin dhe t’i ribotojmë ndoshta tekstet prapë”, deklaron Safqi nga Ministria e Arsimit.
Përveç problemit me tekste, deputetja e komunitetit turk, Fidan Jilta kërkon që mësimi në gjuhën e tyre të mundësohet edhe në zonat ku më pak banohen nga turqit.
Jilta: Mësimi zgjedhor turqisht të mundësohet edhe në zonat ku jetojnë turqit në numër më të vogël
“Në zonat e banuara me shumicë turke zhvillohet mësim në turqisht, ne kemi kërkuar që mësimi zgjedhor turqisht të mundësohet edhe në zonat ku jetojnë turqit në numër më të vogël dhe këtë kërkesë e kemi adresuar në institucionet përkatëse, në Komisionin për Arsim dhe Ministrinë e Arsimit dhe mendojmë se kjo do jetë diçka shumë e dobishme për nxënësit tonë. Përveç kësaj, kemi vërejtur disa mungesa në librat e shtypur në turqisht në kuadër të kurrikulës së re arsimore. Për shembull, ka disa mungesa në përkthime”, ka deklaruar ajo.
Në arsimin parauniversitar, janë mbi 2700 fëmijë të komunitet turk që vijojnë mësimin në gjuhën turke. Ndërkaq, numri i përgjithshëm i gjithë komuniteteve është mbi 13 mijë.
Shënim: Ky artikull është realizuar në kuadër të projektit: -“Identifikimi I sfidave në procesin mësimor të fëmijëve të komuniteteve jo-shumicë si pasoj e Pandemisë COVID 19, I cili zbatohet nga Qendra për Inovacione dhe Zhvillim/CFID dhe I financuar nga: Agjencia Slovake për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, shkruan kp.