Ai këto komente i bëri sot në mbledhjen e Këshillit të Lëvizjes Vetëvendosje ku është përkujtuar 24-vjetori i Epopesë së lavdishme të UÇK-së.
” Derisa Serbia nuk pranon të nënshkruaj deklaratë mos-sulmimi e paqeje me Kosovën, dhe nuk distancohet nga agresioni rus për pushtimin e Ukrainës, dhe në të njëjtën kohë nuk i bashkohet demokracive të tjera në sanksionimin e Rusisë, ajo përbën kërcënim direkt për rajonin, për paqen dhe sigurinë tonë afatgjate e të përbashkët”, deklaroi Kurti.
Kurti, i cili njëherësh është kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, ka kujtuar në fillim të fjalës së tij muajin mars si muaj të lavdishëm të historisë e të çlirimit tonë.
“Sot është 5 marsi dhe në dy ditët në vijim po ashtu do shënohen ditët e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Populli ynë ndër shekuj ka pasë lëvizje çlirimtare, e tillë ishte edhe UÇK-ja që kulmoi me heroizmin e pashembullt të Familjes Jashari”, tha Kurti.
“Këto ditë i kujtojmë për të mos harruar kurrë barbarinë e okupatorit serb mbi popullin e Kosovës dhe heroizmin e shqiptarëve për të rezistuar dhe luftuar për mbrojtjen e atdheut. Më shumë se kujtdo tjetër, lirinë që gëzojmë sot ua kemi borxh dëshmorëve të luftës. I përjetshëm qoftë kujtimi ynë për ta dhe e përhershme qoftë puna jonë në realizimin e amanetit të tyre”, tha Kurti.
Siç njofton LVV, Kurti ka folur edhe për agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës, pozitën në të cilën gjendet Republika e Kosovës, dhe për pozicionimin e vendit tonë krahas shteteve aleate duke dënuar agresionin dhe duke vënë sanksione ndaj Rusisë.
“Dënojmë ashpër edhe mos-dënimin e agresionit rus dhe mos vënien e sanksioneve nga Serbia e cila kësisoj po i bashkangjitet Bjellorusisë. Nëse deri dje, disa besonin se duke i ledhatuar autokratët zbuten ca e ndoshta bëhen demokratë, tashmë duhet ta kenë marrë mësimin”, shtoi Kurti.
Sa i përket çështjeve organizative, Kurti i njoftoi anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm që në përputhje me vendimin paraprak të organit më të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje shumë shpejt do të futemi në zgjedhjet e brendshme dhe në këtë drejtim në secilën qendër të Kosovës tashmë janë caktuar koordinatorët e qendrave, ndërsa në mërgatë janë caktuar koordinatorë në 10 nga gjithsej 13 qendra.
Sipas njoftimit deri tani janë caktuar 22 grupe punuese dhe së shpejti do të plotësohen edhe grupet punuese të mbetura.
Këshilli i Përgjithshëm vazhdoi punimet duke diskutuar e votuar propozim-rregulloret për dy organet e reja të LV-së, si Gratë për Vetëvendosje dhe Rinia për Vetëvendosje, organe këto të cilat po ashtu do të jenë pjesë e zgjedhjeve të brendshme.
Në kuadër të kësaj mbledhje u raportua edhe mbi raportet e punës për vitin 2021, për sekretariatet e Lëvizjes Vetëvendosje.