Efektet e këtyre masave tashmë kanë filluar të ndjehen pasi që numri i seancave gjyqësore që nuk po mbahen është i lartë, duke bërë që shumë qytetarëve t’iu mohohet e drejta për drejtësi.
Në anën tjetër Këshilli Gjyqësor i Kosovës por edhe ai Prokurorial i kanë dhënë ultimatum Qeverisë së Kosovës që deri më 8 dhjetor ta anulojnë vendimin për ulje të pagave, në të kundërtën kanë paralajmëruar se do t’i ashpërsojnë veprimet protestuese karshi këtij vendimi.
Thirrjes për anulim të këtij vendimi i bashkohen edhe njohësit e sistemit të drejtësisë.
Hulumtuesi i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Gëzim Shala thotë se KGJK dhe KPK i janë ekspozuar një vendimi arbitrar dhe kundërkushtetues të Qeverisë së Kosovës, ku për pasojë po dëmtohen më së shumti qytetarët.
“Fatkeqësisht në këtë situatë defintivisht pësojnë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës të cilët kërkojnë dhe presin për shërbimet gjyqësore. Vetëm dje në bazë të monitorimit i bie se vetëm në Prishtinë janë shtyrë 150 seanca gjyqësore që i bie në këto raste ka pasur një numër të konsiderueshëm të qytetarëve të cilët ndoshta me vite kanë pritur që rasti i tyre të caktohet dhe që në rastin konkretin seanca e tyre është shtyrë përsëri”, ka thënë ai.
Shala po ashtu thotë se nëse vazhdon mosmbajtja e seancave gjyqësore do të rëndohet lista e lëndëve që janë në pritje, por siç thotë ai, edhe shumë seanca rrezikojnë të kthehen në pikën zero.
“Në anën tjetër ndoshta kemi raste penale ku shqyrtimi gjyqësor nuk i ka kaluar ende 3 muaj por gjatë kësaj periudhe kohore do t’i kaloj 3 muaj në këto raste momenti kur kalohet 3 muaj të gjitha shqyrtimet gjyqësore kthehen në pikën zero. Dhe më pastaj pothuajse është një dublifikim i punës sepse edhe seancat që janë mbajtur në të kaluarën duhet të mbahen në të ardhmen dhe të gjitha këto konsekuenca në punën e gjyqësorit defintivisht që do të ndikojnë konsiderueshëm në punën e efikasitetit të sistemit të drejtësisë dhe që në një periudhë të ardhshme do të vërehet pasojat e mos punës të sistemit të drejtësisë“, theksoi hulumtuesi Shala.
Veprimet protestuese të të dy Këshillave po e prekin interesin publik, thotë edhe hulumtuesi në GLPS, Liridon Salihi.
Ai shton se mos mbajtja e seancave do të ndikojnë negativisht edhe në vetë performancën e gjyqësorit, derisa do të ketë bartje të madhe të lëndëve në vitin e ardhshëm.
“Një gjë e tillë padyshim që prek interesin publik për shkak se i bie se një pjesë e lëndëve të cilat janë nëpër gjykata të mos trajtohen, përkatësisht i bie që të trajtohen vetëm lëndët të cilat janë të natyrës urgjente… Tashmë nga 1 tetori e tutje në gjykatat e Kosovës i kemi mbi 150 mijë lëndë gjyqësore të cilat presin verdikt nga ana e gjykatave. Prandaj, në një situatë të tillë me reduktimin e aktiviteteve e gjykatave dhe prokurorive i bie që këtu përveçse do të ndikojnë negativisht në interesin e qytetarëve në anën tjetër do të ndikojnë negativisht edhe në vetë performancën e gjyqësorit duke qenë se do të kemi një numër tejet të madh të lëndëve që do të barten të lëndëve pasuese”, thotë ai.
Salihi bënë thirrje që Qeveria e Kosovës ta anulojë vendimin për uljen e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët, pasi konsideron se me këtë vendim është prekur pavarësia e sistemit gjyqësor.
“Një situatë e tillë nuk i bënë dobi asnjërës palë e më së paku vetë qytetarëve të Kosovës. Qeveria e Republikës së Kosovës duhet ta anuloj një vendim të tillë për arsye se i njëjti prek pavarësinë funksionale të vetë sistemit gjyqësor në vend”, ka thënë ai.
Të mërkurën Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për uljen e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët e Kosovës, duke shfuqizuar kështu vendimin e ish-qeverisë Haradinaj, sipas të cilit në vitin 2017 iu ishin rritur pagat këtyre punonjësve të drejtësisë.