Islami u shpreh se çështja e targave nuk është shtyrja e vërtetë për reagimet e Listës Serbe, sipas tij presioni ndërkombëtar karshi arritjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi ka shtyrë Serbinë dhe strukturat serbe të veprojnë kësisoj.
“Ky është vetëm një shkas, sepse kjo ka qenë e planifikuar dhe gjithçka është skenar i Serbisë në mënyrë që gjatë bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë që të nënshkruajnë një marrëveshje përfundimtare për njohje reciproke mes dy shtetesh ta rrisë pazarin nuk mendoj që do të ketë diçka që do ta destabilizonte Kosovën”, tha ai.
Njohësi i sigurisë në vend u shpreh se dorëheqjet e zyrtarëve serbë nga qeverisja lokale dhe qendrore sidomos nga strukturat e zbatimit të rendit dhe ligjit nuk paraqesin rrezik për sigurinë e përgjithshme dhe se nuk do të ketë përshkallëzim të situatës në veri.
“Sa i përket largimit të serbëve nga institucionet e tyre pra e që janë të Republikës së Kosovës, mendoj që është veprim i pamatur aq s e rrezikon vetë qenien ose vetë serbët lokal dhe pasojat i bartin serbët lokal, dhe nuk mendoj se kjo paraqet një rrezik në aspektin e sigurisë së përgjithshme sepse edhe Policia edhe Gjyqësori, edhe Policia Kufitare nuk kanë lejuar që të ketë vakum institucional dhe të gjithë funksionet vitale janë duke u kryer. Pra, unë nuk mund mendoj se do të bëhet një përshkallëzim i situatës në veriut. Thjesht, kjo është çështje politike, të cilat i ka ndërmarrë një sërë veprimesh nga ana e Serbisë, duke filluar nga vendosja e ushtrisë dhe manovrat në kufi me Kosovë. Pra, një presion psikik jo vetëm ndaj serbëve lokalë, por edhe vetë bashkësisë ndërkombëtare. Kemi parë që Vuçiq nuk është i interesuar për paqen dhe sigurinë dhe është e interesuar shumë që ta mbajë të tensionuar veriun e Kosovës për qëllime të veta”, tha Islami.
Sipas tij, Policia e Kosovës nuk do të lejojë vakum institucional dhe do të bëjë zëvendësime me kohë të pjesëtarëve policorë në pjesën veriore të vendit.
“Vuçiq me Listën Serbe dhe me strukturat kriminale në veri të Kosovës janë të interesuar që në atë pjesë të veprojë EULEX-i dhe KFOR-i, dhe të mos jenë strukturat e shtetit të Kosovës, pra institucionet e Kosovës, mirëpo me siguri të plotë e them se ka dështuar ai skenar i tyre dhe se Policia e Kosovës do të bëjë zëvendësime dhe nuk do të lejojë vakum institucional edhe pse mund të ketë një lloj mbikëqyrjeje dhe asistence nga EULEX-i, të gjitha funksionet do t’i kryejnë institucionet e Republikës së Kosovës”, u shpreh njohësi i sigurisë.
Nga 5 nëntori kanë nisur dorëheqjet e zyrtarëve serbë nga përgjegjësitë institucionale qendrore dhe lokale në Kosovë. Gjatë ditës së sotme mandatet e deputetëve i kanë dorëzuar edhe 10 deputetët e Listës Serbe.
Këto veprime kanë rezultuar pas vendimit për suspendim të drejtorit të Policisë në Veri të Mitrovicës, Nenad Gjuriq, pasi ky i fundit refuzoi të zbatonte vendimin e Qeverisë së Kosovës për regjistrim të targave./kp