Një total prej 774 fëmijë refugjatësh të pashoqëruar u zhdukën në Belgjikë në vitin 2024, me të paktën 101 raste të klasifikuara si veçanërisht alarmante, sipas të përditshmes De Standardaard, cituar nga Anadoly.
Mesatarisht, gati 15 të mitur të pashoqëruar zhdukeshin çdo javë. Vetëm 246 u gjetën përfundimisht, ndërsa mbi 500 mbeten të pagjurmueshëm.
Rastet alarmuese përfshijnë të mitur nën 13 vjeç, fëmijë me nevoja mjekësore ose ata që janë parë për herë të fundit në rrethana të pasigurta.
“Fëmijët që ikin të pashoqëruar nga një i rritur janë jashtëzakonisht të prekshëm. Fakti që qeveria jonë nuk mund t’i mbrojë as këta fëmijë është një dështim i trishtueshëm”, tha deputeti i Partisë së Gjelbër, Matti Vandemaele, i cili siguroi shifrat.
Ai u kërkoi ministrave të azilit dhe drejtësisë të Belgjikës që të ndërmarrin veprime të menjëhershme, duke përfshirë emërimin e kujdestarëve pas mbërritjes dhe përmirësimin e kushteve të pritjes për të parandaluar zhdukjet.
Ekspertët paralajmërojnë se disa fëmijë trafikohen, shfrytëzohen ose detyrohen të kryejnë krime, ndërsa të tjerë largohen nga frika pas refuzimit të azilit. Shumë prej tyre zhduken para se të regjistrohen siç duhet, duke e bërë të vështirë ndërhyrjen e organizatave.
Midis viteve 2021 dhe 2023, 2,257 të mitur të pashoqëruar u zhdukën në Belgjikë, duke e vendosur atë midis tre vendeve kryesore në Evropë.