Të martën, duke prezantuar këtë fotografi kryetari i komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi tha se janë dhënë 45 mijë euro për pesë vjersha.
E një ditë pas, aktori në këtë fotografi Gani Veseli ka thënë se ajo çfarë ka pretenduar Arifi nuk qëndron.
Veseli tutje ka dhënë detaje se si këto mjete të ndara do të shfrytëzohen për pesë filma me metrazh të mesëm.
“Është e vërtetë se jam akuzuar se kam fituar projekt për 5 vjersha siç e thotë kryetari Arifi por këto janë deklarata skandaloze që çdokush sigurisht që e ka dëgjuar nuk e ka marrë për seriozitet sepse e dinë, të gjithë bota e dinë që për 5 vjersha nuk i jep dot askush as 30 mijë as 40 mijë euro. Prandaj këto janë gënjeshtra dhe sulme shumë të ulëta nga kryetari Arifi për shkak se unë ju sqaroj se unë si aktor kam marrë këtë projekt për realizimin e 5 filmave që janë filma të metrazhit të mesëm 35-40 minuta që do të marrin pjesë të gjithë aktorët e Preshevës, Luginës së Preshevës por do të marrin pjesë aktorë nga Maqedonia e Kosova, pasi që nuk mbulojmë dot vetëm me aktorët nga Lugina sepse është numri i pakët”, deklaroi Veseli.
Më tej ai thotë se nuk do të ndalojë punën dhe aplikimet edhe për realizimin e filmave të tjerë.
Të martën i pari i preshevarëve ka thënë se për këto keqpërdorime ka qenë në dijeni edhe Qeveria e Kosovës.
Tëvë1 ka dërguar pyetje edhe në ekzekutiv për këto akuza, mirëpo të njëjtit nuk janë përgjigjur.
Kronika e gazetares Fetije Kamberi.








