Zyra e Kryeministrit ka publikuar manualin për zbatimin e politikës kundër ngacmimit seksual në organet e Administratës Publike. Përmes saj synohet të luftohet dhe parandalohet ngacmimi seksual në sektorin publik.
Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë, pranë ZKM-së, Habit Hajredini, tha se në manual sqarohet se çka është ngacmimi seksual, format e ngacmimit seksual dhe mekanizmat që do të merren me ndëshkimin e kësaj dukurie negative.
Publikimin e këtij manuali e mirëpriti shefi i seksionit për ligj dhe drejtësi në kuadër të misionit të OSBE-së në Kosovë, Mark Lasser, i cili tha se i njëjti do të ndihmojë në luftimin dhe parandalimin e ngacmimit seksual në ambientet e punës.
Ai përmendi edhe disa shifra të studimeve, ku sipas tij tregojnë se diku 48 për qind e kosovarëve kanë përjetuar një lloj forme të ngacmimit seksual, ku 64 për qind prej tyre janë gra.
Në anën tjetër, drejtoresha e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Demolli, tha se ekzekutivi duhet të fokusohet edhe në luftimin dhe parandalimit të ngacmimit seksual në sektorin privat.
Qeveria e Kosovës më 25 dhjetor 2020 ka miratuar politikën kundër ngacmimit seksual në Organet e Administratës Publike./KosovaPress/