Dekani i Fakultetit të Edukimit, Blerim Saqipi, ka kërkuar nga profesori Xhevat Krasniqi, i dyshuar se ka ngacmuar seksualisht disa studente që përkohësisht mos të paraqitet në vendin e punës.
Ai këtë e ka bërë të ditur në një përgjigje për Tëvë1.
Saqipi ka thënë se kjo është bërë për të dhënë mundësi diskutimeve ndërmjet fakultetit dhe rektoratit për çështjen e mbarëvajtjes së mësimit.
“Duke parë zgjatjen e marrjes së vendimit nga Këshilli i Etikës për rastin (gjë për të cilin shprehim edhe njëherë pakënaqësi),dhe pas shprehjes së shqetësimit nga ana e studentëve tanë për prani të policisë në fakultet/sallë mësimi në ditën e protestës së datës 18 prill, si Dekan kam vendosur, dhe njoftuar Rektorin paraprakisht, që të kërkoj nga profesor Krasniqi të mos paraqitet në vendin e punës deri më datën 28 prill 2024 që do të na jepte kohë që të kryejmë diskutimet tona fakultet – rektorat për çështjen e mbarëvajtjes së mësimit”, ka thënë ai.
Xhevat Krasniqi ishte denoncuar nga 27 studente të Universitetit të Prishtinës se i kishte ngacmuar seksualisht, duke iu thënë disa prej tyre “kur dush të bëj masazh”.
Disa media gjatë ditës së martë kanë raportuar se Këshilli i Etikës ka rekomanduar suspendimin e profesorit.
Teve1.info ka dërguar pyetje në rektorat për të konfirmuar një gjë të tillë.