Policia e Shqipërisë ka njoftuar se ka gjetur trupat e pajetë të dy turistëve, njëri shtetas belg dhe tjetri francez, të cilit duke eksploruar zonën e Valbonës, ishin rrëzuar për shkak të terrenit të thepisur dhe kishin rënë në greminë.
Sipas komunikatës së Policisë ata janë gjetur në vendin e quajtur “Qafë Valbonë”
“Pavarësisht territorit shumë të vështirë dhe motit të keq me mjegull dhe me borë, shërbimet e Policisë, pas shumë kërkimesh, kanë bërë të mundur që në vendin e quajtur “Qafë Valbonë”, të gjenin trupat e pajetë të dy turisteve, shtetases belge B. M. dhe shtetases franceze J. B. Në ndihmë të shërbimeve policore është nisur menjëherë skuadra alpine e FNSh Shkodër, pasi për shkak të terrenit shumë të vështirë dhe motit të keq, punonjësit e Policisë që ndodhen në vendngjarje, e kanë të pamundur nxjerrjen e trupave nga humnera. Po për shkak të motit të keq, edhe helikopteri nuk ka mundur të ulet në vendin ku janë gjetur të pajeta turistet”, thuhet në komunikatë.
Policia ka bërë të ditur se për nxjerrjen e trupave të pajetë, shërbimet e Policisë vendore dhe të asaj kufitare, si dhe skuadra alpine, po bashkëpunojnë me Emergjencat Civile dhe me Ministrinë e Mbrojtjes. /teve1.info/