Bashkimit Sindikatave të Pavarura të Kosovës, ka kërkuar veprime vendimtare për të mbrojtur punëtorët nga rreziqet e shëndetit dhe të sigurisë që vijnë nga ndryshimet klimatike dhe kushtet ekstreme të motit po edhe nga ato jo të përshtatshme në vendet e punës.
Në një komunikatë për media të lëshuar me rastin e 28 prillit, Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Punëtorëve, thuhet se me rritjet e temperaturave sipas hulumtimeve rritet edhe rreziku i aksidenteve në vendin e punës.
“Hulumtimet kanë treguar se me rritjen e temperaturave rritet edhe rreziku i aksidenteve në vendin e punës. Kur temperaturat ngrihen mbi 30°C, gjasat për aksidente rriten me 5-7%. Dhe kur temperaturat kalojnë 38°C, ky rrezik rritet edhe më shumë, midis 10% dhe 15%.Pavarësisht këtyre statistikave alarmante, vetëm një pjesë e vogël e vendeve evropiane kanë legjislacionin në fuqi për të mbrojtur punëtorët gjatë valëve të të nxehtit. Ka një ndryshim të gjerë në kufijtë e vendosur për të garantuar sigurinë e punëtorëve në vendet e punës. Prandaj, është e domosdoshme që Ligjvënësit tanë të ndërmarrin veprime vendimtare për të mbrojtur punëtorët nga rreziqet e shëndetit dhe të sigurisë që vijnë nga ndryshimet klimatike dhe kushtet ekstreme të motit po edhe nga ato jo të përshtatshme në vendet e punës”, thuhet nga BSPK-ja.
Rastet kur vdesin punëtorët ne vendin e tyre të punës në Kosovës nuk janë edhe të rralla.
Sipas statistikave të Sindikatës se Sektorit Privat, në vitin 2023 kanë vdekur 22 punëtorë në vendin e tyre të punës./teve1.info/