Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka mbajtur një fjalim në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, teksa ka thënë se Kosova e Maqedonia e Veriut ndajnë vlera e synime të njëjta.
Presidentja Osmani, ka thënë se qëllimi i përbashkët i dy shteteve është familja evropiane, aty ku është e ardhmja, shkruan teve1.info
“Me Maqedonin e Veriut nuk jemi vetëm fqinjë gjeografik por i ndajmë edhe të njëjtat vlera dhe të njëjtat synime, qëllimi ynë i përbashkët është familja evropiane, aty ku e kemi të ardhmen e mbi të gjitha aty ku tashmë e kemi dëshmuar se e meritojmë ta kemi vendin”, deklaroi Osmani.
Presidentja Osmani, në Kuvend foli edhe për liberalizmin e vizave për Kosovën, ku përmendi edhe mbështetjen e Maqedonisë së Veriut, ku tha se synimi i rradhës i Kosovës është anëtarësimi në BE dhe në NATO.
Tutje Osmani tha se Kosova do të ketë mundësi që të mësojë nga përvoja e Maqedonisë së Veriut.
“Synimi i rradhës është statusi i shtetit kandidat për anëtarësim në BE si dhe anëtarësimi në Aleancën më të fortë që ka njohur njerëzimi, në NATO. Do të punojmë me ngulm në këtë drejtim dhe do të kemi mundësi të mësojmë nga përvoja e Maqedonisë së Veriut”, u shpreh Osmani.
Madje, Osmani deklaroi se nuk ka asnjë dilem se Maqedonia e Veriut do të jetë në krah të Kosovës në këto procese.
“Në funksion të fqinjësisë të shkëlqyeshme nuk kam asnjë dilem të vetme se Maqedonia e Veriut do të jetë në krah të Kosovës jo vetëm në procesin e anëtarësimit në BE dhe NATO por edhe në organizata të tjera ndërkombëtare”, tha Osmani.
Osmani ka përmendur edhe marrëdhëniet midis Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, ku tha se nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike Kosova e Maqedonia e Veriut kanë shënuar përparim në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, raporton teve1.info
“Republika e Kosovës dhe e Maqedonisë së Veriut gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyeshme fqinjësore, jo vetëm në letër por edhe në vepër, që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike ne kemi shënuar përparim jashtëzakonisht forcimin e marrëdhënieve dypalëshe”, u shpreh Osmani.
Ndër të tjera, presidentja Osmani, falënderoi qytetarët e Maqedonisë së Veriut, që hapën dyert për shqiptarët e Kosovës gjatë luftës në Kosovë.
“Në vitin 1999, në ditët e errëta tona kur po rrezikohej ekzistenca jonë nga makineria gjenocidale e Millosheviqit, Maqedonia e Veriut e sidomos shqiptarët në këtë shtet hapën dyert dhe zemrat e tyre duke u bërë strehë për shumë të dëbuar me dhunë”, ka thënë Osmani.
“Prandaj faleminderit nga zemra në emër të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës për të gjithë ata që na dolën në krah në vitet 1998-1999”, shtoi ajo.
Tutje Osmani theksoi se populli shqiptar që jeton në Maqedonin e Veriut ka qenë gjithmonë një urë e fort lidhëse mes dy shteteve.
Osmani në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut kërkoi që të garantohet përdorimi i gjuhës shqipe në të gjitha institucionet e vendit./teve1.info