Bashkësia ndërkombëtare po tregohet e padrejtë me Kosovën dhe shumë e butë me Serbinë. Pavarësisht që Kosova është rreshtuar krah botës perendimore me vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë.
Kosova po paguan një çmim në raport me lëshimet që komuniteti ndërkombëtar po i bën Serbisë, duke provuar që këtë vend ta kthej kah perëndimi dhe ndajë nga ndikimi i Rusisë, thotë kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Në emisionin ResPublika, në Tëvë1, Konjufca tha se bashkësia ndërkombëtare po i hyn në hak Kosovës në relacion me lëshimet pe që i ka bërë Serbisë.
“Kjo nuk është reflektuar në përfitimet e Kosovës…, e a është e ardhmja e Serbisë në Bashkimin Evropian, në njëfarë forme Kosova duhet të paguaj një çmim për këtë të ardhme të saj duke pasur parasysh lidhjet e saj me Rusinë”, thekson Konjufca.
“Para 24 shkurtit të vitit të kaluar është menduar që lufta në Ukrainë ka me ardh në Serbi edhe në Ballkanin Perëndimor si efekt i presionit i cili ka me peshu më shumë mbi Serbinë, që ajo me ndryshu kursin e vet ndërkombëtar, se kursin e ka pas në një lidhje shumë të ngushtë me Rusinë edhe vazhdon me e pas atë. Tash bashkësia ndërkombëtare në këtë aspekt kur ka ndodh lufta në Ukrainë, i vetmi shtet në mes të Evropës i cili mbeti në një far forme sikur platformë e Rusisë brenda kontinentit evropian mbeti Serbia”, thotë Konjufca.
E në këtë mes, kur Kosova është rreshtuar pro-perëndimit duke i vënë sanksione Rusisë dhe duke mbështetë Ukrainën kundër agresionit rus, në vend se të pritet një veprim më i ashpër ndaj Serbisë, kjo nuk ka ndodhur.
“Përkundrazi, çka e kemi parë është marrja edhe ma shumë me të mirë e Serbisë nga ana e bashkësisë ndërkombëtare. Dhe ky është halli im edhe ky është shqetësimi im në të njëjtën kohë”, thotë kryetari i Kuvendit të Kosovës.
Sot, thotë ai, më shumë po shpërblehet Serbia e cila të ardhmen e saj evropiane e kushtëzon me fjalë boshe, sesa Kosova e cila tashmë ka dhënë shembuj të rreshtimit pro-botës demokratike.