Tokën e punuan për dhjetëra vite.
Por, një vendim shtetëror bëri që këto prona të shqiptarëve të kalojnë në duart e forcave jogusllave.
Në këtë formë, në fund të viteve të ’80-ta, Dumoshi i Podujevës u bë me aeroport.
Për gati një dekadë, ky aeroport u përdor për trajnimin e parashutistëve dhe aeroplanëve sportivo-ushtarak.
“Kurgjo nuk ka pas, veç bari u kanë u lshojshin ata…”, ka thënë Nazmi Podvorica, banor i Dumoshit.
Por, me afrimin e luftës në Kosovë, vendi ku zhvilloheshin garat e trajnimet ajrore, mori një karakter tjetër.
Këtu u vendosën forca paramilitare dhe ato të ushtrisë serbe.
“Gjatë kohës së luftës, ata e kanë pasur në dorë krejt, na nuk kemi pasur lidhje me të kurrë. Nga këtu kanë bombarduar shumë, deri në natën e bombardimeve të NATO-s, i kanë hequr tanket nga këtu.
Bile tanket kanë dal prej këtu, NATO ka bombarduar”, thotë ai.
Madje, problem shpeshherë iu doli edhe atyre që kalonin në rrugën që e lidh këtë fshat me qytetin e Podujevës.
E të martën u bë e ditur, se ky aeroport do të bëhet plotësisht ushtarak.
Kjo pasi Qeveria e Kosovës, vendosi që këto prona, t’ia kaloi Ministrisë së Mbrojtjes.
Prezenca më e madhe e FSK-së në afërsi të kufirit me shtetin serb, ka gëzuar edhe pushtetarët lokal.
“Ne i gëzohemi këtij lajmi, për shkak se Podujeva është komuna më territor më të madh në nivel vendi, por edhe arsyeja tjetër është se e kemi vijën kufitare më të gjatë me Serbinë prandaj kjo do t’ia shtojë sigurinë qytetit të Podujevës”,thotë Fatri Zhitia, zëdhënës i Komunës së Podujevës.
Pas përfundimit të luftës, për një kohë në këtë aeroport qëndruan trupat amerikane të KFOR-it.
Ndërsa aktualisht, aty ndodhen zyre të EULEX-it.