Mirëpo, pavarësisht kësaj rritje nga ekzekutivi, e njëjta nuk po përkrahet.
Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa në emisionin Këndi i Debatit, ende nuk e di se a është e mjaftueshme kjo pagë prej 250 eurove për qytetarët.
Sipas tij, këto çështje duhet të kenë koordinim me Këshillin Socio Ekonomik.
“LDK ka qenë gjithmonë kundër rritjes së tatimeve, dhe jam i bindur se një gjë e tillë do të reflektohej edhe sikur të vinte në Kuvend për t’u votuar, LDK do të votonte kundër rritjes së normave të tatimeve. Si parti e qendrës së djathtë gjithmonë jemi përkrahës të idesë së ekonomisë së lirë ku sektori privat zhvillon ekonominë dhe jo sektori publik sepse sektori privat me këtë rëndesë e ka të pamundur”.
E sipas analistit Arton Demhasaj, rritja e pagës minimale nga Qeveria është arbitrare, pasi nuk ka dëgjuar këndvështrimin e këtij këshilli.
“Vendosja sot në Qeveri, votimi i pagës minimale është vendim arbitrar që e anashkalon Këshillin Ekonomik Social e cila e bën të parëndësishme, jofunksional dhe në një farë mënyre i anashkalon sindikatat që i përfaqësojnë të drejtat e punëtorëve. Nëse e analizojmë në vitin 2011 është vendosur paga minimale e fundit që është 170 euro, tani në vitin 2022 do të thotë për 11 vite ne e kemi rritur pagën minimale vetëm për 80 euro, që i bie 7,2 euro për vjet. Duke u bazuar në rritjen ekonomike që ka pasur në Kosovë, por njëkohësisht çmimet aktuale që i kemi, 350 është dashur të jetë minimumi i pagës minimale”
Në anën tjetër, analisti Artan Muhaxhiri thotë se e rëndësishme është që paga minimale gjithmonë të jetë avancuese sepse nuk negociohet çdo vit për të.
“Paga minimale gjithmonë duhet të jetë avancuese, sepse në momentin që tash e bën një pagë minimale e cila nuk i plotëson kërkesat rritja e çmimeve do të vazhdojë edhe në të ardhmen, mirëpo paga minimale nuk dakordohet dhe nuk negociohet çdo vit, pra hera e fundit ka qenë 2011, prandaj shihet si një lloj caku në raport me zhvillimet ekonomike dhe në aspektin e mirëqenies. Është jashtëzakonisht tragjike që nga viti 2011 nuk është negociuar kjo sepse çmimet janë trefishuar, dhe për këtë arsye ky nuk është një indikator i mirë për zhvillimin e Kosovës, pra nëse Kosova pas tërë këtyre viteve e realizon një pagë minimale e cila nuk është e mjaftueshme për një jetë të dinjitetshme, atëherë kjo nuk është një ogur i mirë por një shenjë dhe indikacion se nga po shkon Kosova”.
Përveç kësaj, në këtë debat u diskutua edhe për tërheqjen e mjeteve të Fondit Pensional.
Deputeti Mustafa tha se LDK-ja është pro idesë së tërheqjes së TRUSTIT mirëpo sipas tij duhet siguri për qytetarët që mjetet të rimbursohen.
Kronika e realizuar nga Fetije Kamberi