Komuna e Skenderajt ka mbajtur homazhe dhe një tubim përkujtimor në shënim të 27-vjetorit të Masakrës së Rezallës.
Në këtë aktivitet morën pjesë kryetari i komunës, Sami Lushtaku, deputetë të Kuvendit të Kosovës, si dhe përfaqësues të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së.
Gjatë fjalës së tij, Lushtaku theksoi se kjo periudhë e vitit është ndër më të rëndat për komunën, për shkak të numrit të madh të masakrave, vrasjeve dhe shkatërrimeve që kanë ndodhur gjatë luftës.
Ai u shpreh se Masakra e Rezallës nuk ishte e rastësishme, duke theksuar rolin që, sipas tij, kishte ky fshat gjatë luftës, si mbështetje për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Po ashtu, ai shprehu zhgënjimin për mungesën e përfaqësuesve institucionalë në këtë përvjetor dhe në përkujtimet e tjera, si ato në Izbicë.
Lushtaku ngriti shqetësimin edhe për gjuhën që, sipas tij, përdoret ndaj ish-ushtarëve të UÇK-së dhe familjeve të dëshmorëve, duke bërë thirrje që të ruhet respekti ndaj vlerave të luftës dhe të mos tolerohen fyerjet ndaj tyre.
Në përfundim, ai përmendi edhe bashkëluftëtarët që po përballen me procese gjyqësore në Hagë, duke kërkuar më shumë mbështetje dhe dinjitet për ta.










