Çdo 14 maj, Mujë Gashi merr të njëjtën rrugë. Kjo për të shuar mallin që ka për më të dashurit e tij, të cilët u vranë 26 vite më parë nga forcat serbe në Qyshk të Pejës.
Gashi, vetë i kishte mbijetuar kësaj masakre, e kujtimet e asaj dite i ka të freskëta edhe sot.
“Mua më kanë ndarë në atë shtëpinë atje dhe më pyeti një ushtar i ushtrisë serbe se sa vjet i ki, edhe i thashë që unë i kam 16 e në fakt nuk i kam pas 16 edhe jam paraqit që jam invalid. Edhe më ka nda, ha mundesh me dal nga këtu e më tha shko jeto edhe ndonjë ditë”, ka thënë Gashi.
21 vjeçar asokohe, Gashi tregon se si fshati Qyshk ishte rrethuar nga forcat paramilitare serbe.
“Këtu kemi qëndru burrat, në atë pjesën atje i kanë ndarë gratë edhe fëmijët, atje i kanë plaçkit çka kanë pas parë, ari, argjend e gjëra me vlerë ja u kanë marrë edhe lejet dhe letërnjoftimet kush i ka pas në atë kohë i kanë marrë edhe i kanë djeg, domethënë me hup gjurmë krejt….Ne prapë jemi kthyer në fshat, kemi qëndruar në familjen Kelmendi deri në ora 13:00, e më pas jemi ardh në shtëpi me motrën e aty e kam vërtetuar që i kanë vra, se nuk e kemi ditë çfarë është bë”, është shprehur Gashi.
Tutje Gashi cili në këtë masakër humbi babain, axhën e djemtë e axhës, thotë se i ka humbur shpresat se drejtësia do të vihet në vend.
“Po të ishte në shtetin tonë po, por është në shtetin e Serbisë është në dorën e tyre nuk besojmë në drejtësi sepse edhe institucionet shtetërore të Kosovës nuk ndahen fortë mbas këtyre seneve, e që pak jemi të zhgënjyer në këtë punë e nuk besojmë”, përfundoj i mbijetuar i luftës, Mujë Gashi.
Ashtu si Gashi, të njëjtin mall e ka edhe Adem Berisha, i cili kujton momentet e fundit që pati me shokun e tij, Isuf Shala.
“Atë ditë e kam taku te lumi Bistirca, Isuf Shalën edhe jam ndal me të e kam marrë ngryk kurrë nuk e harroj. Unë i kam thanë Isuf bre a po më dëgjon a po vjen me mua në Graboc, tha kush është, e po i tregoj janë Kelmend, Krasniqt, a po vjen më tha jo more Adem lësho atë vend. E nuk erdh atë ditë, ishim me një kërr me kali, edhe të nesërmin e kemi marr lajmin e zi që u masakruan në Qyshk”, tha Berisha.
Masakrën në Qyshk të Pejës, ku u vranë e u dogjën mizorisht 41 burra, e përkujtuan të mërkurën edhe presidentja Vjosa Osmani e kryeministri në detyrë, Albin Kurti, të cilët thanë se kujtimi për ta mbetet i përhershëm.