Sot janë bërë 25 vjet kur forcat serbe kanë vrarë dhe masakruar 49 anëtarë të familjes Berisha në Suharekë. Fillimisht kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të tyre e më pas viktimat e të plagosurit i kishin bartur në një kafiteri, ku i kishin gjuajtur me bomba, për t’u siguruar se askush s’do të mbijetojë. Por nga kjo masakër kanë mbijetuar tre persona, njëri nga ta është edhe Gramoz Berisha, i cili tregon gjithë ngjarjen.
Shenjat e krimit ruhen ende në këtë shtëpi në qendër të qytetit të Suharekës.
25 vjet më parë, forcat serbe, fillimisht kishin shtënë me armë zjarri në drejtim të rreth 49 anëtarëve të familjes Berisha.
Më pas, viktimat e të plagosurit i kishin bartur në një kafiteri, ku i kishin gjuajtur me bomba, për t’u siguruar se askush s’do të mbijetojë.
Të moshuar, gra e fëmijë, u vranë në këtë lokal.
E kësaj masakre i mbijetuan vetëm tre anëtarë të familjes Berisha, Vjollca, Shyhretja dhe Gramozi.
Ky i fundit, e ka të freskët kujtimin e 26 marsit të vitit 1999.
Ai sot tregon se si i kishte shpëtuar forcave serbe së bashku me nënën e tij dhe gruan e axhës.
“ Na kemi vazhdu me ik ku kemi mundur të shpërndarë deri kur kemi mbërri në pjesën këtu dhe e kemi parë që të gjitha rrugët janë të bllokuara edhe nuk kemi ku me ja mbajt. Na kanë detyru me hy në këtë lokalin këtu në picerinë “Kalabria” që ka qenë i vetmi lokal hapur. Kemi hy gjithë brenda, gra dhe fëmijë, motrën vëllaun gjithë i kam pas aty edhe mandej janë afru te hyrja e lokalit këtu dhe kanë fillu me gjuajt. Ne jemi shtri gjithë për toke. Tu mundu mu mbrojt prej plumbave edhe gjuajtjet kanë vazhdu deri në momentin që ska pas më lëvizje prej kerkuj. Unë jam bërë si i vdekur edhe pse i plagosur në krah. Na kanë kap qashtu dhe më kanë hyp në kamionin që ka qenë aty i parkirum me gjithë trupa”.
Rrugës kur trupat ishin duke i dërguar për Prizren, Gramozi e kupton që e ka gjallë nënën e tij dhe gruan e axhës. Të tre shpëtuan pasi kërcyen nga kamioni.
E këtë masakër e tregon edhe Hysni Berisha, të cilit i kanë vdekur të afërmit.
Ai tregon për gjetjet dhe vendodhjen e trupave që janë gjetur pas përfundimit të luftës.
“Pas dy dite prapë i kanë tërheq për mi fsheh gjurmët e krimit i kanë marrë trupat i kanë vendos në kamionë dhe i kanë nisë për në drejtim të Serbisë ku fillimisht është gjetë frigoriferi prej aty i kanë marrë trupat dhe i kanë dërguar në vendin e poligonit të ushtrisë speciale. Aty janë zbuluar 6 varreza masive ku kanë qenë prej 960 trupa prej Kosove e në mesin e tyre edhe familja Berisha. Janë gjetur disa dokumente të familjes Berisha dhe trupat i kemi prit që me ju bërë identifikimi prej ADN-së dhe 2014 e kemi bërë rivarrosjen në Suharekë. Prej tyre sot vazhdojnë ti kemi edhe 23 të zhdukur”, tha Hysni Berisha.
Para pak vjetësh disa prej anëtarëve janë gjetur dhe janë varrosur, eshtrat e Bujar Berishës, Faton Berishës, Nexhat Berishës dhe Arta Berishës, nën nderimet ushtarake. Por, ende nuk janë gjetur të gjithë anëtarët e familjes Berisha.
Drejtësi për masakrën e familjes Berisha, të martën kanë kërkuar krerët e shtetit, të Komunës së Suharekës dhe qytetarë të shumtë.