Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama ka thënë se puna e kësaj gjykate ka qenë shumë efikase gjatë tremujorit të parë këtij viti.
Gjatë një konference për medie, Shabani-Rama derisa e ka prezantuar raportin tremujor të punës së kësaj gjykate, ka thënë se kjo periudhë ka qenë shumë dinamike sa i përket efikasitetit të gjykatës.
“Qëllimi i organizimit të këtij takimi është pasqyrimi i ecurisë së punës së gjykatës gjatë këtij tremujori që ka qenë shumë dinamik sa i përket efikasitetit dhe njëkohësisht plotësimit të përbërjes së kësaj gjykatë me gjyqtarë dhe me bashkëpunëtorë të rijnë”, tha ajo.
Sipas saj, veprimet e ndërmarra gjatë vitit të kaluar nga kjo gjykatë në drejtim të organizimit dhe administrimit të gjykatës kanë prodhuar efekt pozitiv në veprimtarinë e saj duke sjell përmirësimin e efikasitetit të punës dhe rritje të cilësisë së shërbimeve gjyqësore që u ofrohen qytetarëve.
Shabani-Rama ka theksuar se ka pasur edhe rritje të zgjidhjes së lëndëve të vjetra.
“Gjatë këtij tremujori gjykata ka arrit standardin e përfundimit të çështjeve duke arritur në një normë prej 74% dhe kjo është tregues relativisht i mirë i performancës së gjykatës edhe pse synimi ynë është që të mërijmë mbi 100%”, shtoi ajo.
Sipas Shabani-Ramës, gjyqtarët janë të fokusuar tek cilësia e vendimmarrjes.
“Megjithatë përtej numrit të çështjeve që janë duke u shqyrtuar dhe po përfundojnë, gjyqtarët veçanërisht janë të fokusuar tek cilësia e vendimmarrjes, sepse në fund të fundit zbatimi i drejtësisë materializohet tek vendime, tek argumenti dhe tek zbatimi I drejt I ligjit”, tha Shabani-Rama.
Ndryshe, Qendra për Ndihmë Juridike dhe Zhvillim Regjional (CLARD) dhe Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), në bashkëpunim me Kryetaren e Gjykatës Themelore të Prishtinës znj. Albina Shabani-Rama ka organizuar takimin me media për të prezantuar Raportin tremujor të punës së Gjykatës Themelore të Prishtinë.
Ky aktivitet është implementuar nga organizata CLARD në bashkëpunim me IKD dhe në mbështetje të Ambasadës Amerikane në Prishtinë Departamentit të Shtetit Amerikan Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit INL./BetimipërDrejtësi