Tri shkronjat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i kishte në krahun e tij që në moshën 17 vjeçare.
E në fotografitë e para 20 viteve, Naim Ramizi në duar mbante edhe armën.
Ai në vitin 2000 iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.
“E kom lon çantën e shkollës dhe e kam kapë armën, pas luftës jam kthy dhe iu kom bashku shoqeve dhe shokëve të mi të shkollës së mesme dhe kam qenë maturant, kam qenë veteran maturant”, ka thënë Ramizi.
Por ky rreshtim krahë ushtrisë, i kushtoi të riut nga Lugina pas luftës.
Pasi me të filluar fakultetin, si 20 vjeçar është arrestuar nga Serbia.
“Pas përfundimit të shkollës së mesme, unë jam arrestu bashkë me një grup të shokëve të mi, atëhere jemi dënu mbi 57 vjet si grup, unë kam mbajtë diku 3 vite, pas tri viteve jam liruar e pastaj jam kërkuar prapë, e prej atëherë unë jetoj dhe veproj në Prishtinë”, është shprehur tutje Ramizi.
Nga atëherë, konkretisht nga viti 2006-të, ish ushtari i UÇMPB-së nuk ka shkuar në vendlindje në fshatin Tërrnoc të komunës së Bujanocit.
E së fundi, në familjen e tij atje policia serbe bëri edhe bastisje.
“Bastisja në shtëpinë time ka ndodhur me arsyetimin se kinse ata (policia serbe) kanë pasur informacion se unë ndodhem në shtëpi, pra më kanë kërku mu dhe kanë kërku armë, kur nuk e kanë gjetë asnjonën, atëherë e kanë ftu babën tem dhe kanë vet se ku jam çfarë janë planet e mia sepse unë kam paralajmëru që në vitin që vjen bëhet parashkrim absolut i veprës për të cilën mu më kërkon Serbia dhe unë kam thënë se unë do të kthehem me vizitu venin tem që unë nuk e kam pa që 20 vjet”, ka theksuar Ramizi.
Vepra e tij do të parashkruhet në mars të vitit 2026.
Ai thotë se do të kthehet në Tërrnoc pavarësisht çmimit që do të paguaj.
43 vjecari që tashmë flokët iu kanë thinjur në Kosovë, tregon mallin për atdheun.
“Është i papërshkrueshëm malli që e ndin dhe që është akumulu për këto vite, sado që ka kalu koha që thonë se koha e shëron mallin dhe plagën unë mendoj që jo, malli është për ditë më i madh”, është shprehur Ramizi.
Ai thotë se me shokët e tij të ushtrisë shihet shpesh, e mallin e zbusin veç më njëri tjetrin.
“Unë mundem me thanë që janë shokët, na bashkë e kemi mbajtë njoni tjetrin, nuk e kemi pasë fatin e njëjtë krejt, psh, unë e kam shok Naserin në Gjilan atij i ka vdekur edhe nëna edhe baba dhe nuk ka mund të shkoj të hedh një grusht dhe mbi varrin e tyne”, ka përfunduar Ramizi.
Naim Ramizi bashkë me shokët tij nga Serbia është akuzuar nga Serbia për dy vepra penale politike, njëra për “Bashkim për veprimtari armiqësore” dhe tjetra për “Terrorizëm”