Kosova dhe Mbretëria e Bashkuar kanë nënshkruar memorandum për rritjen e bashkëpunimit për të garantuar mbrojtjen dhe sigurinë rajonale.
Marrëveshja është nënshkruar nga ministri Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci dhe ai Mbretërisë së Bashkuar për Forcat e Armatosura, Leo Docherty.
Për këtë marrëveshja ka njoftuar ambasada e Britanisë në Kosovë.
“Ministri i Mbretërisë së Bashkuar për Forcat e Armatosura Leo Docherty përshëndeti ministrin e Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci në hapat e Ministrisë së Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar përpara nënshkrimit të një Memorandumi të Mirëkuptimit që pajtohet se si Mbretëria e Bashkuar dhe Kosova mund të rrisim bashkëpunimin tonë për të garantuar mbrojtjen dhe sigurinë rajonale”, thuhet në njoftim.
Ministri Maqedonci po qëndron për vizitë zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar.
Ndërsa, Maqedonci ka thënë se marrëveshja ka rëndësi për anëtarësimin e Kosovës në NATO
“Kjo marrëveshje që do të formësojë edhe më tej bashkëpunimin e shkëlqyeshëm bilateral në fushën e mbrojtjes ndërmjet dy vendeve tona, përfshinë koordinimin për mbështetjen e integrimit të Republikës së Kosovës në NATO, realizimin e ushtrimeve dhe trajnime të përbashkëta, mbështetje dhe trajnime për operacione ndërkombëtare dhe misione ushtarake, si dhe shkëmbim përvojash në fusha të tjera”, ka thënë ai.