Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), ende nuk e ka pranuar zyrtarisht marrëveshjen komerciale të nënshkruar të shtunën ndërmjet KEDS-it dhe Elektrosever për ofrimin e shërbimeve energjetike.
Sa i përket kësaj marrëveshje, kryetari i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Ymer Fejzullahu nuk ka dhënë detaje të sakta të afateve kohore në lidhje me faturimin e energjisë elektrike në katër komunat veriore.
Ndërsa, kompania KEDS nuk janë përgjigjur për KP lidhur me detajet e marrëveshjes së nënshkruar të shtunën për energji.
Ndërkaq, analisti Gazmir Raci ka vlerësuar se me këtë marrëveshje, serbët në katër komunat me shumicë serbe obligohen të paguajnë rrymën e shpenzuar.
Ai thekson për KosovaPress se nga kjo marrëveshje zgjidhet përfundimisht edhe qasja e autoriteteve të Kosovës në trafostacionin e Vallaqit.
“Përfundimisht serbët e veriut ose katër komunave në veri po obligohen të paguajnë energjinë elektrike që e marrin prej Kosove dhe tashmë janë bërë shumë vite që ata nuk kanë paguar asnjë cent për Kosovën. Natyrisht, kjo po ndodh falë kësaj qeverie dhe insistimit të Qeverisë Kurti që gjithsesi këta të hyjnë në sistem të pagesave dhe marrëveshja e fundit për energji ka pas këtë qëllim që sa më shpejtë kompania Elektroserver të lidhë marrëveshje me KEDS-in në Prishtinë…00:47 Është me rëndësi po ashtu që kjo marrëveshje e zgjidh përfundimisht edhe qasjen e trafo stacionit Vallaq që është në veri, që do të lidhet me sistemin nacional të energjisë së Kosovës dhe do të jetë nën urdhrat e KOSTT-it që është me seli në Prishtinë”, thotë Raci.
Ai beson se konsumi i energjisë në katër komunat veriore do të jetë e prodhuar nga Kosova, përkatësisht nga termocentralet e KEK-ut.
“Besoj se vitin e ardhshëm, pasi tashmë jemi në fund të vitit dhe vitin e ardhshëm serbët lokal të katër komunave në veri përfundimisht do të paguajnë për energjinë që po e shfrytëzojnë për shumë vite…Rryma është e Kosovës, ajo prodhohet prej termocentraleve të Kosovës nga Obiliq, dhe për këtë arsyeje është bërë marrëveshja që ata të futën në sistem të Kosovës dhe të pranojnë sistemin energjetik të Republikës së Kosovës si sistem i pavarur tashmë nga sistemi energjetik i Serbisë”, thotë Raci.
Kryetari i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Ymer Fejzullahu përmes një përgjigje me shkrim thekson për Kp se marrëveshja e arritur më 9 dhjetor 2023, është nënshkruar Marrëveshja Komerciale ne mes Elektrosever dhe KEDS për ofrimin e shërbimeve te distribuimit ( faturim, mirëmbajtje dhe lidhje fizike të konsumatorëve), në katër Komunat veriore me shumicë serbe, ashtu siç ishte përcaktuar me Nenin 5 të “Marrëveshjes për Energjinë “ te vitit 2013.
“Korniza ligjore që rregullon sektorin e energjisë në Kosovë promovon një treg të liberalizuar të energjisë elektrike. Prandaj, siç është e përcaktuar në kushtet e licencës, ky aktivitet i furnizimit nuk i nënshtrohet rregullimit apo miratimit të tarifave nga ZRRE-ja, si rrjedhojë, Elektrosever nuk ka ndonjë obligim për përgatitje të propozimit për tarifa për konsumatorët të cilët i shërben”, thotë ai në një përgjigje me shkrim.
Fejzullahu thekson se veprimtaria e Elektroseverit si Furnizues i Licencuar për furnizim me energji elektrike kryhet në përputhje me dispozitat ligjore që parashohin Ligjet e Sektorit të Energjisë në Republikën e Kosovës.
Megjithatë, ai thotë se ZRRE-ja ende nuk ka pranuar zyrtarisht marrëveshjen e nënshkruar të shtunën mes KEDS-it dhe Elektrosever.
“Rregullatori ende nuk e ka pranuar zyrtarisht marrëveshjen komerciale të nënshkruar për ofrimin e shërbimeve dhe nuk mundë të ofrojë detaje të sakta të afateve kohore në lidhje me faturimin”, thekson Fejzullahu.
KosovaPress për këtë çështje ka dërguar pyetje edhe tek KEDS-i, mirëpo deri në publikimin e kësaj teme nuk janë përgjigjur. Mirëpo, të njëjtit përmes një komunikate kanë njoftuar të shtunën se është nënshkruar kontrata me Elektrosever, e cila ka për qëllim normalizimin e shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike në komunat Zubin Potok, Leposaviq, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore.
Në komunikatë po ashtu thuhet se KEDS-i pret bashkëpunimin me Elektroserverin, i cili do të jetë me sukses kyç për shërbimet e shpërndarjes dhe investimeve në komunat e lartpërmendura.
“Kjo kontratë përkon me ligjin e Kosovës dhe kornizën rregullative, në përputhje me Marrëveshjet në lidhje me Energjinë të datës 8 shtator 2013 (“Marrëveshjet e Energjisë 2013”) dhe Konkluzionet e Lehtësuesit të BE-së për zbatimin e Marrëveshjes së Energjisë të vitit 2013, të datës 25 gusht 2015 (“ Marrëveshjet për Energjinë të vitit 2015”), si dhe Udhërrëfyesin për Zbatimin e Marrëveshjeve Energjetike të 21 qershorit 2022. Ky proces i zgjatur ka qenë shumë delikat dhe sfidues për tërë sistemin energjetik në Kosovë, dhe ne jemi të kënaqur që kemi arritur këtë moment historik”, thuhet në njoftimin e KEDS.