Një fabrikë e siroporit është djegur mëngjesin e sotëm në fshatin Mushnikovë të Prizrenit.
Lajmin për tëvë1.info e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi i cili tha se një punonjës i fabrikës është dërguar në emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit, pasi që i njëjti ka pasur probleme me frymëmarrjen si pasojë e tymit.
Bytyqi ka bërë të ditur se dëmi material i shkaktuar nga zjarri vlerësohet të jetë mbi 400,000 mijë euro.
Tutje, policia ka bërë të ditur se njësitë e zjarrfikësve kanë arritur ta lokalizojnë dhe shuajnë zjarrin.
“Me datën 07.04.2026, rreth orës 03:00, Policia ka pranuar informatë se në fshatin Mushnikove, në Prizren, kishte shpërthyer një zjarr në një fabrikë të stiroporit. Patrulla policore i është përgjigjur menjëherë rastit, së bashku me njësitë e zjarrfikësve, të cilët kanë arritur ta lokalizojnë dhe shuajnë zjarrin, duke e vënë situatën plotësisht nën kontroll. Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe Hetuesi i Stacionit Policor në Prizren si dhe njësia e Krim-Teknikës. Sipas informatave të grumbulluara nga dëshmitarët dhe pronari i fabrikës, dyshohet se zjarri mund të jetë shkaktuar nga një makineri që përdoret për thithjen e pluhurit. Dëmi material i shkaktuar nga zjarri vlerësohet të jetë mbi 400,000 (katërqind mijë) euro, sipas deklarimit të viktimës. Një punonjës i fabrikës është dërguar në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Prizren, pasi kishte probleme me frymëmarrjen si pasojë e tymit, por sipas mjekut kujdestar nuk ka pësuar lëndime të dukshme. Lidhur me rastin është njoftuar Sektori i Hetimeve Rajonale si dhe Prokurori i Shtetit, me urdhër të të cilit është iniciuar rasti “Incident zjarri”, ka thënë Bytyqi./teve1.info/









