Brenda këtij stacioni policor u sollën në orët e para të mëngjesit.
Këta persona që punuan si komisionerë në zgjedhjet e 28 dhjetorit, u arrestuan këtë të martë nën dyshimin për manipulim votash.
Detaje rreth gjithë aksionit dhanë nga Policia e Kosovës.
“Hetimet po vazhdojnë, deri më tani janë intervistuar 14 persona dhe varësisht nga të gjeturat, Policia Rajonale e Hetimeve me koordinim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit do të vazhdojë edhe intervistimin e personave të tjerë, këta persona dyshohen për falsifikim të rezultateve të votimit”, ka thënë Hashani.
Intervistimi nuk do të përfundojë me kaq.
E në një përgjigje për Tëvë1, nga Prokuroria Themelore e Gjilanit thanë se deri tani kanë pranuar 16 kallëzime penale.
Këto kallëzime penale, sipas Prokurorisë, janë pranuar për komunën e Vitisë dhe Kllokotit.
“Referuar kërkesës tuaj për informacion të parashtruar sot më datë 10 shkurt 2026, ju njoftojmë se Policia e Kosovës është duke e zbatuar autorizimin e Prokurorisë Themelore në Gjilan, sipas të cilit janë intervistuar kryesues të qendrave, komisionerë, dëshmitarë dhe deri më tani kemi pranuar 16 kallëzime penale për Komunën e Vitisë dhe Kllokotit, të gjitha në procedurë të rregullt.”,thuhet në njoftimin e Prokururisë Themelore në Gjilan.
Tutje, Prokuroria ka bërë të ditur se për shkak të numrit të madh të personave të përfshirë, procesi i intervistimit ende është duke vazhduar në Komunën e Gjilanit, ndërsa më pas do të shtrihet edhe në komunat e tjera që janë në kompetencë të tyre.
Intervistimi i komisionerëve dhe kryesuesve të qendrave të votimit, gjatë ditës është kryer edhe në Mitrovicë.



