Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministri Albin Kurti, së shpejti do t’i fillojë përpjekjet për zgjedhjen e presidentit, tha ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.
Derisa kanë edhe 25 ditë afat kushtetues për zgjedhjen e të parit të vendit, Vitia tha se fokusi kryesor i LVV-së dhe Kurtit është që të shmangen zgjedhjet.
“Atë që po e bën kryeministri Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje është që të shmangen zgjedhjet. Njësoj do të vazhdohet deri në ditën e fundit me takime, propozime dhe çdo mundësi që të shmangen zgjedhjet. Zgjedhjet nuk sjellin rezultat tjetër dhe në këtë drejtim është një humbje në raport me shumë gjëra të mira për qytetarët. Është diçka që nuk do të ndryshojë thellë rezultatin dhe pse të shkohet me gjithë këto harxhime shtesë për zgjedhjet dhe rrugëtim të panevojshëm”, tha Vitia në konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë.
Për çështjen e presidentit foli edhe partnerja e koalicionit të Kurtit, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila.
Ajo u shpreh më skeptike për një zgjedhje për presidentin, siç tha pas polemikave të ashpra të enjten në seancën e Kuvendit.
“Ajo çfarë pamë dje për prioritetet e qytetarëve nuk përkonte me sjelljet që i patën disa përfaqësues të partive opozitare. Prej largimit nga salla të PDK-së dhe qasja dhe komunikimi i një drejtuesi të një subjekti tjetër opozitar dhe mosvotimi i katër marrëveshjeve ndërkombëtare disi nuk po e lënë përshtypjen e hapësirës dhe diskursit për bashkëpunim. Në rast të cenimit të këtij raporti në atë formë dhe atë mënyrë, hapësira për të pasur konsensus të përbashkët po ngushtohet, por jo në kurriz të forcave politike, por të qytetarëve”, tha ajo.
Megjithatë, Kusari-Lila tha se Kurti shumë shpejt do të ketë kërkesa dhe takime formale me liderët e opozitës për çështjen e presidentit.
“Do të ketë kërkesa edhe për takime formale, por kur hyjmë në tema pak më të lehta që mund të gjejnë zgjidhje dhe kemi atë sjellje, disi po dekurajohemi për këtë temë që kërkon seriozitet për të parandaluar procesin zgjedhor. Ftesat dhe diskutimet do të ndodhin, por nëse është ajo frymë që e pamë dje, këtë po e ndjejmë ne në fakt edhe me keqardhje të madhe që pastaj do të vijë një proces tjetër që nuk është në të mirën e qytetarëve”, tha ajo.








